Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngrehur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe deputetëve Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, lidhur me përleshjen fizike në seancën e 13 korrikut.
Sipas aktakuzës, Bilsimi, Lushtaku dhe Haxhiu ngarkohen për veprën penale “Sulmi, ndërsa Beqa gjithashtu ngarkohet me veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Përmes komunikatës bëhet e ditur se po ashtu, në këtë çështje penale për deputetin Haxhiu ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë”, thuhet në njoftim.