Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i
Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: K.Th., A.K., dhe J.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, dhe “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 269, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, të pandehurit A.K., dhe K.Th., me datë 14.03.2024 rreth orës 16:40 në Prizren në rrugën “Xhemaj Bjediqi”, pikërisht prapa një furre të bukës, në cilësinë e bashkëkryerësve me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes pa autorizim kanë poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që derisa të pandehurit ishin të ulur në një tavolinë prapa furrës së bukës, ku kishin vendosur disa qese me substancë narkotike të llojit marihuanë, hasen nga policia, me ç’rast policia ka gjetur dhe sekuestruar, në tavolinën ku po qëndronin të pandehurit marihuanë me peshë neto prej 0.60 gram, dhe një (1) qese plastike me peshe neto prej 2.42 gram me marihuanë, ndërsa në motoçikletën të pandehurit A.K., janë gjetur dhe sekuestruar tridhjetë e pesë (35) qese plastike me marihuanë me peshë prej 73.63 gram, një (1) qese plastike me marihuanë me peshë neto 49.63 gram (pesha totale e substancës narkotike 126.28 gram), një (1) peshore elektronike ngjyre hiri – mjet për matjen e narkotikut, si dhe pesëmbëdhjetë (15) euro, që dyshohet se janë mjete të fituara nga shitja e substancave narkotike. Të njëjtit, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale.
“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
I pandehuri A.K., me datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka shpërndarë substancë narkotike të llojit marihuanë, në atë mënyrë që takohet me të pandehurin J.B., në rrugën “Ibrahim Rugova” ku të njëjtit i jep në këmbim të 240 qeseve plastike që shërbejnë për paketimin e substancës narkotike,një dozë të substancës narkotike të llojit marihuanë në peshë prej 0.27 gram. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri J.B., me datë 31.03.2024, rreth orës 13:05 minuta, në Prizren, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, peshë prej 0.27 gram, të cilën substancë narkotike e kishte marrë nga i pandehuri A.K., në këmbim të 240 qeseve plastike. Më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartë cekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.