Nëse e lexojmë me kujdes Aktgjykimin e datës 18 Gusht 2025 mund ta vërejmë që Gjykata i ka dhënë shumë hapësirë nevojës për të justifikuar veten pse në Aktgjykimin e 26 Qershorit nuk është deklaruar qartë që “praktikat e deritanishme parlamentare” nënkuptojnë votim të hapur.
Një përcaktim i qartë me 26 Qershor do të ndryshonte në mënyrë thelbësore rrjedhën e ngjarjeve këto 6 javët e fundit dhe do të na kursente nga të gjitha dramat politike. Pra, sado ka tentuar me shto miell e shto ujë, Gjykata nuk ia ka dal ta amnistojë veten nga bashkëpërgjegjësia për situatën e krijuar.
Sa i përket përcaktimit për votim të hapur, Gjykata është shumë e kujdesshme në zgjedhjen e gjuhës. Gjykata nuk e përjashton dhe as nuk e mohon ligjshmërinë e votimit të fshehtë, por përcaktimin për votim të hapur e ndërlidh me mungesën e konsensusit parlamentar në favor të votimit të fshehtë. Pra, Gjykata nuk përcaktohet në favor të njërës apo tjetrës formë të të votuarit, që do të ishte tejkalim i pastër kompetencash, por, bazuar në parime të logjikës së shëndoshë demokratike, e orienton rrjedhën e procedurës drejt votimit të hapur. Konsideroj që ky konkluzion është logjik dhe i qëndrueshëm.
Sa i përket përcaktimit për të kufizuar të drejtën e nominimit të një emri të caktuar në tre herë, Gjykata nuk ofron argumente bindëse juridike. Gjuha e përdorur në arsyetime lë të nënkuptohet që edhe Gjykata është e vetëdijshme për këtë fakt, prandaj në fund të pikës 152 të Aktgjykimit thotë: “Gjykata vlerëson se Kuvendi në të ardhmen mund të iniciojë plotësimin e normativës ligjore përkitazi me konstituimin e Kuvendit përmes Rregullores së tij të Punës, por që deri në ndryshimin e kësaj të fundit, vlejnë zgjidhjet procedurale të dhëna përmes këtij Aktgjykimi”. Pra, Gjykata tregohet shumë e kujdesshme, e përmban veten nga tundimi për të shkruar norma procedurale, dhe ia hedh topin Kuvendit që, në të ardhmen, të aprovojë një normë të qartë procedurale.
Kjo gjetje juridike, që Gjykata të ofrojë një zgjidhje procedurale deri në amendamentimin e Rregullores së Punës së Kuvendit, është një gjetje interesante, edhe pse, në aspektin juridik, nuk është qind për qind bindëse. Është një harrnim juridik qëllimmirë që synon të qëndrojë në mes të pozicioneve të kundërta të palëve.
Në pikat 153 e tutje, Gjykata përdor gjuhë korrekte duke e përcaktuar në mënyrë të drejtë që përgjegjësia për të konstituar Kuvendin është përgjegjësi e përbashkët e të të gjithë deputetëve të zgjedhur. Po ashtu, Gjykata përkujton që moskonstituimi i Kuvendit rrezikon parimet themelore të rendit demokratik të Republikës.
Si përfundim, konsideroj që, në aspektin procedural, rruga e mëtejme është e qartë: