Dhomat e Specializuara të Kosovës, kanë njoftuar se trupi Gjykues II i DHSK-së, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00.
“Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së ”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ndryshe aktakuza fillestare kundër dy të akuzuarve u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u bë publike më 14 dhjetor 2020.
Më 23 qershor 2021, paneli i Gjykatës së Apelit miratoi pjesërisht apelet e parashtruara nga Gucati dhe Haradinaj mbi mangësitë e pretenduara në formën e aktakuzës dhe urdhëroi që ZPS-ja të dorëzojë një version të korrigjuar të aktakuzës.
Aktakuza e korrigjuar u dorëzua më 5 korrik 2021 ndërsa aktakuza me më pak redaktime u dorëzua më 4 tetor 2021. Sipas aktakuzës, së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).