Aktivisti për KEDS: Jeni fajdexhinjtë tanë më të mëdhenj, petiti juaj është i gatshëm që të na ngulfatë

Prishtinë | 06 Shk 2026 | 13:51 | Nga Gzim Mujaj

Qytetarët kanë kundërshtuar para KEDS një tjetër rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke thënë se KEDS po kërcënon me “kamxhikun e territ” sa herë që po synon që në obligimet e tyre ta shtojnë dhe një zero, raporton Ekonomia Online.

Aktivisti Erbilin Ajdini tha se KEDS për apetitet e saja është i gatshëm të ngulfas qytetarët, duke luajtur dhe rolin e fajdexhinjve, por thekson që kjo nuk do të lejohet dhe se faturat me çmim më të lartë do të bojkotohen e rrugët dhe institucionet do të bllokohen deri sa vendi t’i kthehet qytetarit, e jo kapitalit.

“Në vitin 2022 KEDS kërkon që të shtrenjtohen faturat e rrymës, këta e arsyetojnë se ka shtrenjtim anë e mbanë botës, dhe ne i besuam. Vitin tjetër KEDS bëri të njëjtën kërkesë, dhe ndonëse skeptik, i lejuam që të vjedhin pak më shumë se vitin e kaluar. Sot KEDS thjesht zgjat dorën drejt në xhepat tonë dhe merr aq sa ia do qejfi. E kemi pa tashmë që kjo dëshirë nuk ngopet askund, se apetiti i KEDS është i gatshëm që të na ngulfatë që të trashë profitin e tyre. Po nuk iu bindëm, ata na kërcënojnë me kamxhik të territ. Na thonë se pa KEDS nuk do të kishim dritë në lagjet tona, na thonë se pa KEDS nuk do të kemi ngrohje në lagjet tona. Na thonë se problemi është te konsumi ynë i tepërt dhe jo te apetiti i KEDS-it. Vjet u vodhën prej 16.1 për qind, që na bënë trekëndëshi KEDS–ZRRE–Qeveri. Edhe sivjet po duan me na e trashë edhe më shumë e me na thënë se ka rritje tjetër prej 20 për qind, është një hile e zanatit të KEDS”, tha ai.

Ajdini nënvizon se KEDS është kundër qytetarëve dhe spo vazhdon edhe një hile tjetër.

“Këtu prapa nesh po na zihet edhe një hile tjetër, që neve popullin do të na varfërojnë edhe më shumë. Por këtë hile nuk mundemi me e kapërcy këtu. Jemi këtu për me i thënë KEDS se durimit tonë i ka ardhur fundi dhe nuk mund të silleni sikur kapadai e që na shtroni zullumin kudo që ua vë syrin edhe një zero më shumë në obligimet e juaja. Ju nuk mund të vazhdoni të vidhni këtë popull përveçse ia keni vjedhur një pjesë të aseteve më jetike. Nuk mund të vazhdoni të na i faturoni neve dështimet dhe dëshirat e juaja për rritje, mbi trupat tonë. Tash e sa vjet nuk jeni në shërbimin tonë, jeni kundër nesh, jeni fajdexhinjtë tanë më të mëdhenj. Andaj tash e tutje edhe ne do t’iu dalim përballë, do t’iu përcjellim dhe do t’ju bojkotojmë deri kur ky institucion të kthehet në anën e popullit. Në momentin kur ju shtrenjtoni faturat, ne fillojmë bojkotin. Do t’i bojkotojmë faturat dhe do të bllokojmë rrugë e institucione deri atëherë kur ky vend të fillojë punën për ne dhe jo për kapitalin”, theksoi ai.

Të ngjashme