Një figurë e njohur e opozitës në Rusi u zhduk nga banesa e tij të dielën mbrëma, pasi që i dërgoi porosi kolegëve se dikush po ia thyente derën, shkruan The Independent.
Pyotr Verzilov, menaxher i përkohshëm i punk kolektivit Pussy Riot, dhe publikues i botimeve të pavarura Mediazona, u zhduk pasi që kishte dërguar porosinë në 07:16 të mëngjesit. Pak më pas, pronari i banesës në Moskë ku po jetonte Verzilov, gjeti banesën me derë të thyer dhe askënd brenda.
Duke folur për mediat ruse, fqinjët thanë se kishin parë afro 10 njerëz që po përpiqeshin të hynin në apartamentin e Verzilovit. Dy prej tyre kishin uniforma të policisë, thanë ata. Policia lokale ka thënë se nuk e ka dërguar askënd në atë banesë, transmeton KOHA.
Pas mesditës, një rrjet social që është pro-Kremlinit postoi një foto ku shihej Verzilov në shtëpinë e tij, duke i shikuar dokumentet, me një njeri të paidentifikuar të ulur pranë tij.
“Një mjek ka shkuar për vizitë tek Verzilov, por ai nuk deshi ta hapte derën”, shkruante përfundi fotografisë.
Sergei Smirnov, redaktori i MediaZona, tha se miqtë dhe kolegët nuk kishin informata se ku gjendej Verzilovi. Ai tha se zhdukja e çuditshme e tij kishte lidhje të drejtë për drejtë me punën që e bën.
Gjatë shumë viteve, Verzilov e ka irrituar Kremlinin dhe krahun Konservator të Rusisë me shumë performanca politike.
Para Pussy Riot, ai kishte qenë pjesë e grupit Voina, të cilët me performanca të ndryshme tregonin revoltimin me situatën në Rusi dhe me qeverinë e Putinit.
Së bashku me anëtarët tjerë të kolektivit Pussy Riot, Verzilov ndihmoi në krijimin e Mediazona, një faqe e internetit që ka për fokus raportimin e shkeljeve të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Gjatë viteve të fundit, kjo faqe ka publikuar shumë hetime të guximshme të anëve më të errëta të shtetit dhe shoqërisë ruse.
Në shtator të vitit 2018, Verzilov u sëmurë në Moskë dhe u evakuua në Berlin, ku mjekët vërtetuan se simptomat e tija kishin të bëjnë me helmim. Autoritetet ruse gjer tani nuk kanë hapur hetim penal ndaj këtij sulmi.