Aktivitetet në New York për përvjetorin e pavarësisë, merr pjesë edhe kongresmenia Cortez

Prishtinë | 29 Shk 2024 | 17:23 | Nga Ekonomia Online

Bashkia në New York të hënën në Dhomat e Këshillit ka mbajtur aktivitete dedikuar për 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit dhe organizator, mbajti fjalën kryesore gjatë të cilës i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara, partnerëve të saj dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndërpresin menjëherë të gjitha veprimet e Serbisë që minojnë Kosovën dhe Ballkanin.
“Në këtë 16-vjetor, na kujtohen pengesat dhe sfidat me të cilat është përballur Kosova për të dalë nga lufta si një vend i ri i themeluar në luftën e shqiptarëve për liri. Kjo është një pavarësi që nuk u fitua, por u pagua me dekada gjak, djersë dhe lot”, tha Gjonaj.

Ndërkaq e ftuara speciale e ngjarjes, kongresmenia Alexandra Ocasio-Cortez bëri thirrje për t’i dhënë fund mosndëshkimit për dhunuesit serbë në mënyrë që ata të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit, pasi ajo është bashkë-hartuese e Rezolutës 36.

“Sot në këtë përvjetor të gjashtëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës me krenari pohoj se bashkë-hartuese e Rezolutës 36 e cila kërkon ndëshkimin e krimeve serbe në Kosovë. Jam shumë krenare që e paraqes këtë rezolutë dhe do të luftoj që kjo rezolutë të kaloj në të dy dhomat. Si përfaqësuese e një zone që ka një numër shumë të madh të komuniteti shqiptar dua t’ju siguroj që drejtësia do të vendoset për të gjithë njerëzit e komunitetit tonë. Përtej këtij kremtimi të Pavarësisë duhet të jemi të qartë për padrejtësie që i kanë ndodhur dhe për padrejtësitë që po i ndodhin Kosovës. Sulmet seksuale ndaj grave të pafajshme dhe njerëzve, vdekjet dhe shkatërrimet dhe dhuna që është ushtruar. Janë mbi 25 mijë gra që janë dhunuar seksualisht dhe vetëm pak raste janë ndjekur ligjërisht. Kjo është e papranueshme. Të përdorësh përdhunimin si armë lufte është një krim lufte. Dhe shumë të rinj që vuajtën dhunën dhe pësuan trauma. 15 % e viktimave të luftës së Kosovës ishin nën 18 vjeç. Dëshiroj të shpreh nderim për jetët e humbura të tre vëllezërve Bytyçi. Tre shtetas amerikanë me një të ardhme të ndritur përpara, të tre të vrarë por ende s’ka drejtësi për ta dhe familjen e tyre. Dhimbja dhe trauma e kësaj periudhe nuk mund të harrohet. Edhe sot pas 16 vitesh provokimet vazhdojnë”, tha Cortez.

Ndërkaq të martën, Gjonaj ka falënderuar kongresmenen Alexandra Ocasio- Cortez që njoftoi se është bashkëhartuese e rezolutës 36.

“Falenderim i veçantë për Alexandria Ocasio Cortez që njoftoi bashkimin e H. Kon.Res 36 në Kongresin amerikan, në emër të Vasfije Krasniqi Goodman dhe 20,000 të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.”

Të ngjashme