Në edicionin e 17 të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit – “Teatri pa Kufij”, në Tuzla të Bosnjës dhe Hercegovinës, që mbahet nga 29 shtator deri më 2 tetor, Kosova do të prezantohet më dy shfaqje. “Aktori ne Kuti” dhe “AMOK”, të cilat kanë pasur jetë të gjatë nëpër festivale ndërkombëtare kësaj radhe do të shfaqen në skenën e Teatrit Kombëtar të Tuzlas. Në këtë Edicion të Festivalit, përpos Kosovës, marrin pjesë edhe shfaqje nga Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Serbia dhe vende të tjera.
“Edhe motoja e Festivalit në Bosnjë që është Teatri pa Kufij për mua ka shumë kuptim. Arti është rruga më e lehtë për të kapërcyer barrirat që na janë krijuar neve si popull dhe njëherit është mënyra më e mirë për prezantimin e vlerave tona artistike dhe kulturore” , tha Mentor Zymberaj, aktor dhe drejtor I Shtëpise Teatrore Filmike – AKT, produksion i së cilës janë të dy shfaqjet.
Ai shtoi se këtë vit e ka një motiv shtesë për prezantimin e tillë, pasi shfaqja “Aktori në Kuti” ka dhjetë vjetorin e inskenimit. “Ka shumë shfaqje të mira të cilat realizohen por fatkeqësisht kanë jetë të shkurtër skenike. Ndërkohë kur sheh produktin tënd që për dhjetë vjet po i reziston skenës dhe ende tingëllon artistikisht nuk ka satisfaksion më të madh për një artist”, tha Zymberaj.
Nga ana tjetër regjisorja e shfaqjes “AMOK” , Elmaze Nura, e cila ka marr pjesë në shumë prezantime ndërkombëtare, thotë se Festivali Ndërkombëtar i Tuzlës është vetëm njeri prej prej festivaleve në të cilin puna e tyre artistike do të prezantohet gjatë ketij viti. “AMOK” është prezantuar nëpër shumë skena ndërkombëtare dhe njësoj si “Aktori në Kuti” është shpërblyer në të gjitha Festivalet Ndërkombëtare garuese. Është pikërisht kjo që më rigjeneron motivin tim artistik”, tha Nura.
Shtëpia Teatrore Filmike – AKT, është shpërblyer dy herë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për Prezantimin Më të Mirë Ndërkombëtar. Shfaqjet e këtij produksioni kanë shkelur edhe shumë vende të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.