Kriza brenda FIFA-s vazhdon të thellohet. Presidenti i organizatës, Gianni Infantino, ka thirrur një mbledhje urgjente me drejtuesit më të lartë të FIFA-s në Rabat të Marokut, pas akuzave të rënda për “shantazh” të ngritura nga presidenti i Federatës së Futbollit të Jordanisë, Princi Ali bin Al Hussein.
Sipas Princit Ali, FIFA i kishte lënë të kuptohej Jordanisë se mbështetja për rizgjedhjen e Infantinos do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve që federata po e përjetonte.
Ai e cilësoi këtë sjellje si “shantazh” dhe theksoi se Jordania nuk do të dorëzohet përballë një presioni të tillë, shkruan “The Times”, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne krenohemi me vlerat etike. Nuk e kemi mbështetur më parë Infantinon dhe sigurisht nuk do ta bëjmë as tani. E gjithë kjo situatë përbën shantazh dhe ne refuzojmë t’i nënshtrohemi”, deklaroi presidenti i Federatës Jordaneze.
Këto akuza vijnë në një moment shumë delikat për Infantinon, i cili po përballet me pakënaqësi në rritje pas dështimit të planit të tij për t’i shitur 20% të të drejtave komerciale të Kupës së Botës tek investitorë privatë.
Projekti u braktis pas kundërshtimeve të shumta nga federata dhe drejtues të rëndësishëm të futbollit botëror.
Takimi i krizës në Marok synon ta qetësojë situatën dhe ta rikthejë mbështetjen e federatave anëtare përpara zgjedhjeve të ardhshme në FIFA, që do të mbahen në mars të vitit 2027.
Megjithatë, raportimet ndërkombëtare flasin për një klimë të tensionuar, me disa federata që e kanë tërhequr tashmë mbështetjen për Infantinon dhe me opozitën ndaj tij që po fiton gjithnjë e më shumë terren.