Akuzat e Hasanit ndaj Pukës për mashtrim me doktoratën, Rektorati: Po bëjmë verifikimet institucionale

| 11 Kor 2023 | 16:12 | Nga

Rektorati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka thënë se është duke bërë “verifikimet institucionale” lidhur me akuzat ndaj Dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka. Puka po akuzohet nga Enver Hasani profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare se ka mashtruar për doktoratën, duke thënë se e ka kryer në Itali në Universitetin “La Sapienza”.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës është deklaruar për herë të parë lidhur me pretendimet e Profesorit të së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, sipas të cilit, Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”.

Në një përgjigje që Rektorati i UP’së i ka kthyer organizatës studentore “Unioni Demokratik Studentor”, thuhet se po bëhen “verifikimet institucionale”, raporton Express.

“…lidhur me akuzat drejt dekanit të Fakultetit Juridik, ju njoftojmë që në këtë fazë jemi duke bërë verifikimet institucionale”, thuhet në përgjigjet e Rektoratit.

Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani e ka denoncuar Avni Pukën, Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”.

Në një letër që Hasani ia ka dërguar Qerim Qerimit Rektorit të UP’së “Hasan Prishtina”, ka thënë se autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar se Avni Puka nuk ka kryer doktoratë në këtë institucion.

“Ajo që z. Avni Puka na thotë në atë letër, megjithatë, nuk është fare e vërtetë: Avniu asnjëherë në jetën e tij nuk ka doktoruar në Fakultetin Juridik të Universitetit “La Sapienza” në Romë të Italisë”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Sipas Hasanit, i vetmi institucion ku Puka ka dërguar doktoratën është Agjencia e Kosovës për Akreditim.

“I vetmi vend ku z. Avni Puka ka dërguar diçka, ngelet Agjencia e Kosovës për Akreditim. Nuk dihet, megjithatë, se çfarë versioni të doktoratës ka dorëzuar aty pak muaj më parë, ngaqë asnjëherë një gjë e tillë nuk është bërë publike”, thuhet në letrën e Hasanit.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Agjencisë për Akreditim për këtë çështje, por s’ka marrë përgjigje.

Pas akuzave të Hasanit, ka reaguar Puka, i cili ka dërguar një diplomë që thotë se është e Doktoratës në Universitetin e Romës, që ka thënë se e ka mbrojtur publikisht me 21 shtator 2017.

Puka ka thënë se akuza e Hasanit “përbën shpifje të rëndë, përhapje të thashethemeve e gënjeshtrave në publik, vetëm me qëllim që të dëmtoj imazhin, reputacionin dhe autoritetin tim personal e profesional, dhe imazhin e institucionit, përkatësisht Fakultetit Juridik dhe vetë UP-së.”

Ai ka paralajmëruar se do t’i ndjek rrugët ligjore për këtë rast.

“I siguroj të gjithë kolegët, studentët dhe opinion me gjerë se të gjitha këto pretendime, shpifje, e përhapje të lajmeve të pavërteta, janë pjesë e trajtimit në procedura dhe mekanizma institucional, dhe deri në fund do të shfrytëzohet çdo mjet i lejueshëm ligjor. Me zbardhjen e të vërtetës, do të sqarohen edhe arsyet e motivet e sulmeve të tilla, kaq të ulta!

Për shkak të natyrës se këtyre çështjeve, dhe domosdoshmërisë që këto të trajtohen e konfirmohen nga mekanizmat institucional ligjor kompetentë, do të njoftohëni me kohë për vendimet e tyre, edhe nga ana ime.  Deri atëherë vetëm mund të ju siguroj, se asnjë formë e shantazhit publik nuk do të na zmbrapsë nga reformat dhe luftimi i dukurive negative në Fakultetin Juridik”, thuhet në reagimin e tij.

Në anën tjetër Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në krye me Rron Gjinovcin, kanë shprehur shqetësim për denoncimin që ka bërë profesori Enver Hasani ndaj dekanit të Juridikut Avni Puka, i cili sipas Hasanit ka mashtruar sepse nuk ka doktoraturë të kryer në Universitetin “La Sapienza” në Itali.

ORCA vlërëson se denoncimi i profesorit Hasani është “mjaftë serioz” si dhe ka kërkuar që ky rast të trajtohet në instancat më të larta të UP-së.

Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje nëse kanë nisur hetime ndaj denoncimit që ka bërë Hasani.

Të ngjashme