Profili i rremë “Lule Gjeli”, i njohur për mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosjeka ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë për linçimet, shpifjet e rënda ndaj figurave politike dhe publike.
Një ndër të sulmuarit nga ky profil i rrejshëm është edhe ish-Presidentja Vjosa Osmani. Madje, akuzat denigruese shkuan deri në ato më të rëndat, ku përmenden afera seksuale.
Në një përgjigje për Ekonomia Online Egnesa Vitia, këshilltare e ish-Presidentes Osmani bëri me dije se për sulmet ndaj ish-Presidentes Osmani, denoncime në Polici kanë bërë qysh nga muaji maj.
“Qysh në muajin maj ne i kemi denoncuar në Polici këto sulme ndaj Presidentes Osmani, ndërkaq tani nëpërmjet avokatëve është dorëzuar kallëzim penal edhe në Prokurori”, deklaroi këshilltarja e ish-Presidentes Osmani.
Vitia ka thënë se për rastin në fjalë, sapo të zbulohet se kush qëndron prapa këtij profili, përveç denoncimit në polici dhe kallzimit penal, do të procedohen edhe paditë për shpife ndaj personit që administrojnë këtë profil.
“Në momentin që të zbulohet se kush qëndron prapa këtij profili, i cili nëpërmjet gënjeshtrave monstruoze e linçimeve publike ka nxitur dhunë e përçarje, atëherë, përveç denoncimit në Polici dhe kallëzimit penal, do të procedohen edhe paditë për shpifje ndaj personit/personave që administrojnë këtë profil”, tha ajo.
Kujtojmë se në të kaluarën, Osmani ka deklaruar se sulmet personale, fushatat e dezinformimit dhe gjuha denigruese ndaj saj nuk janë vetëm çështje politike, por edhe një problem që prek funksionimin demokratik dhe sigurinë e debatit publik.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka hapur hetim dhe po e trajton rastin e këtij profili të rremë “Lule Gjeli”. Sipas raportimeve në media, pas profilit dyshohet se qëndron Gent Prokshi, shqiptar nga Kosova që jeton në SHBA.
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi është ofruar të dëshmojë për personin që ai thotë se qëndron pas profilit. Ai tha se e ka takuar në Delaëare më 2021.
Abazi e përshkroi “Lule Gjelin” si pjesë të një “lufte hibride” dhe akuzoi se profili ka sulmuar edhe zyrtarë amerikanë, përfshirë ish-zyrtarin Gabriel Escobar.
“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së”, shkroi Abazi, duke kërkuar hetim edhe për personat që mund të kenë urdhëruar aktivitetin.
Ai pretendoi se profili kishte ndikuar në “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në” përmes sulmeve dhe dezinformimit ndaj kundërshtarëve politikë.
Publikimi i identitetit të dyshuar shkaktoi reagime politike. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe ai ishte sulmuar nga ky profil.