Akuzë e rreme për dhunë nga Njësia Speciale në veri – pamjet e kamerave e rrëzojnë propagandën

Prishtinë | 26 Jan 2026 | 09:00 | Nga Ekonomia Online

Një qytetar serb nga veriu i Kosovës pretendoi se ishte keqtrajtuar fizikisht nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës gjatë një ndalese në pikën e kontrollit tek Ura e Bistricës, në Leposaviq. Pretendimi u publikua nga media lokale dhe u shfrytëzua menjëherë në rrjete sociale, veçanërisht në Telegram, për përhapje të mesazheve të urrejtjes dhe thirrje për dhunë.

Megjithatë, pamjet e kamerave të sigurisë dhe kamerave trupore të policisë dëshmuan se bëhej fjalë për një kontroll rutinë, pa asnjë përdorim force apo keqtrajtim nga zyrtarët policorë. Videoja e plotë tregon se kontrolli zgjati rreth shtatë minuta dhe përfundoi pa incidente, pas çka vetura u lejua të vazhdonte rrugën.

Pas hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, ankuesi u ballafaqua me pamjet dhe pranoi se kishte dhënë deklarim të rremë, duke kërkuar edhe falje. Ndaj tij tashmë është iniciuar kallëzim penal për denoncim të rremë, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për burimin e lëndimeve që ai kishte në trup.

Rasti nxori në pah mënyrën se si pretendimet e pabazuara mund të shfrytëzohen për nxitje tensionesh dhe dhune, ndërkohë që provat vizuale dëshmuan qartë të kundërtën e asaj që ishte raportuar fillimisht. /Kallxo

Të ngjashme