Vjosa Osmani ka vizion të qartë se si ajo dhe Qeveria e saj do ta drejtojnë vendin.
“Çdo ligj që do të vijë në Kuvend duhet të shihet nëpërmjet llupës gjinore”, ka deklaruar Osmani gjatë një interviste për “Al-Jazeeran”, pa u bërë një muaj prejse u zgjodh gruaja e parë e Kuvendit të Kosovës.
Osmani hyn në brezin e ri të politikanëve të cilët i janë përvjelë skenës politike në shtetin më të ri të Evropës, duke kthyer shpresën e humbur gjatë qeverive të kaluara të prira prej ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ku kishte sunduar korrupsioni dhe nepotizmi.
Përveç Osmanit, pesë gra u emëruan ministri në Ministrinë e Ekonomisë, të Drejtësisë, të Arsimit, të Kulturës, të dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal, shkruan “Al-Jazeera”
Qeveria e re është krijuar pasi politikani opozitar, Albin Kurti, lider i Lëvizjes vetëvendosje, fitoi shumicën e votave për t’u bërë kryeministër.
Osmani ishte kandidate për kryeministre nga radhët e partisë së qendrës së djathtë, Lidhja Demokratike e Kosovës, por që doli e dyta pas Kurtit.
“Ishte hera e parë që njerëzit po flisnin hapur, duke thënë ‘i duam gratë’”, ka deklaruar Igballe Rugova, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, që përbëhet prej më shumë se 150 grupeve dhe organizatave të grave që avokojnë në emër të grave kosovare.
Emërimi i këtyre gjashtë grave në poste të larta paraqet përqindjen më të lartë të grave në qeveri prej çlirimit të Kosovës dhe përfundimit të luftës para mbi njëzetë vitesh.
“Ato janë gra me përvojë. Janë gra me guxim”, ka thënë Rugova.
Grupet e grave dhe aktivistët shpresojnë se po fillon një epokë e re ndryshimi për 1.8 milionë qytetarët e Kosovës.
VV-ja dhe LDK-ja formuan koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të parakohshme pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u ftua nga gjykata për krime të luftës në Hagë.
Rugova pret se ky brez grash në qeveri më në fund do të adresojë çështjet stresuese me bazë gjinore të Kosovës, si dhuna në familje, shëndeti, papunësia dhe shkollimi.
Rreth 18 për qind e grave në Kosovë janë pjesë e fuqisë punëtore, tregojnë të dhënat e Instituti Riinvest, grup i pavarur mendimi në Kosovë – shkalla më e ulët në rajon dhe një prej shkallëve më të ulëta në nivel botëror.
Osmani beson se kjo tregon pabarazinë gjinor dhe dëmton ekonominë.
“Kjo është arsyeja pse programi qeveritar, të cilin e kemi hartuar bashkërisht, përqendrohet goxha shumë në krijimin e kushteve të tilla për gratë në shoqërinë tonë për të gjetur punë dhe për t’u fuqizuar ekonomikisht”, ka thënë Osmani.
Rugova dhe anëtaret e rrjetit të saj ia kanë dorëzuar së fundmi Osmanin një listë me kërkesat që shpresojnë se ajo do t’i adresojë gjatë mandatit të saj, përfshirë alokimin e një buxheti të përhershëm për strehimore për të mbijetuara të dhunës mbi baza gjinore, dhe për shmangien e pushimit atëror.
Osmani ka theksuar se do të sigurohet se buxheti shtetëror do të marrë gjithnjë parasysh mbulimin e kostos së strehimoreve për të mbrojtur gratë dhe fëmijët që janë viktima të dhunës.
“Unë pres shumë se situata do të fillojë ngadalë të ndryshojë sa i përket zhvillimit të ekonomisë, sepse, për mua, zhvillimi i ekonomisë është çelësi për luftimin e dhunës, ofrimi i shërbimeve më të mira në shëndetësi, jetë dhe shkollim”, ka deklaruar Rugova, duke folur për punën që e presin Qeverinë e re.
Në Qeverinë e kaluar, pushimi i lehonisë ishte hequr prej ligjit të punës dhe ishte vendosur në një pjesë tjetër legjislacioni.
Pas raporteve për trajtim të keq ndaj grave që ishin shtatzëna ose që ishin në pushim lehonie, Qeveria e re ka thënë se do të emërojë 400 inspektorë nga Ministria e Punës për të raportuar diskriminimin. Më parë, ka pasur më pak se dhjetë inspektorë për krejt vendin.
Çështjet e tjera përfshijnë njohjen e statusit të mbijetuarve të përdhunimit nga lufta e fundit dhe për të çuar përpara rastet e para dy dekadave kundër dhunuesve. Deri tani, asnjë përdhunues i luftës nuk ka dalë para drejtësisë.
“Duhet të punojmë për drejtësi. Njëjtë edhe për personat e pagjetur – drejtësia është shumë e rëndësishme që të ketë paqe”, ka thënë Rugova.
Rugova po u referohet më shumë se 1.600 personave të pagjetur nga lufta dhe me shumë gjasë, ata janë varrosur në varreza masive në Serbi.
Ministrja e re e Drejtësisë, 32-vjeçarja Albulena Haxhiu, tashmë ka reaguar pozitivisht ndaj këtyre çështjeve dhe është takuar me stafin nga Rrjeti i Grave i Kosovës për dhunën mbi baza gjinore.
“Kisha përshtypjen se kjo është një qeveri e pavarur e zgjedhur prej nesh”, ka theksuar Rugova. “Po na dëgjon tani dhe po vepron”.
Për feministët në Kosovë, ende ka hapësirë për përmirësim.
“Natyrisht se është lajm i mrekullueshëm, është diçka që nuk e kemi parë te qeveritë e kaluara. Sidoqoftë, nuk ka ardhur në atë pikë ku dëshironim dhe çfarë do të donim të shihnim. Tridhjetë për qind tingëllon mirë, por mendoj se qëllimi ynë duhet të jetë barazia, që është pesëdhjetë për qind”, ka deklaruar Eli Gashi, sociologe, feministë dhe themelues e “Alter Habitus” – Instituti për Studime në Shoqëri dhe Kulturë në Prishtinë.
“Është e qartë se barazia dhe drejtësia përfshijnë krejt programin e tyre, por mbetet të shihet çfarë do të bëjnë dhe shpresoj se do të adresojnë ato çështje; se zëri i grave nuk do të heshtet duke thënë se ne kemi zgjedhur një grua në kuvend dhe aty të mbarojë gjithçka”.
Osmani duket se është e përkushtuar të sjellë ndryshim dhe një perspektivë të re në qeveri dhe për qytetarët, me qëllim që të kthejnë besimin në institucione, veçmas në sistemin e drejtësisë.
“Ta zëmë, ku ne flasim për zhvillim të qëndrueshëm, efikasitet energjetik, cilësi të ajrit dhe të drejtën për qasje në uj ëtë pastër dhe të pijshëm, ne i kontribuojmë edhe barazisë gjinore, sepse sot një prej shqetësimeve kryesore të nënave, jo vetëm në Prishtinë, por edhe gjetiu në Kosovë, është cilësia e tmerrshme e ajrit, që po shkakton mijëra vdekje”.
Osmani e di se për përmbushjen e mandatit katërvjeçar, nënkupton shumë punë për të dhe Qeverinë, por nuk e ka ndërmend të dorëzohet në një fushë të rëndësishme.
“Do të na shihni duke folur dhe luftuar për barazi gjinore, pavarësisht çfarë teme ka në Kuvend dhe në Qeveri”, është zotuar ajo.