Boksieri i parë nga Arabia Saudite mësoi se mund të jetë pionier kur tentoi dhe dështoi të gjente inspirim nga paraardhësit që nuk ekzistonin.
“Unë shikova nëpër histori për të gjetur një kampion saudit, pasi dija vetëm pak emra – ‘Prince’ Naseem Hamed dhe Mike Tyson. Ishte shokuese për mua që nuk kishte asnjë boksier saudit. Nuk e kisha në mendje të isha vetëm boksieri i parë saudit, por edhe kampioni i parë i botës që vjen nga Arabia Saudite, dhe sauditi i parë që ka fituar tituj bote në disa kategori. Qershia mbi tortë do të jetë kur të jem në listën e më të mirëve”, thotë pionieri i boksit të Arabisë Saudite, Zuhayr Al Qahtani, shkruan “Sky Sports”, transmeton “Koha Ditore”.
Ambiciet e Zuhayr Al Qahtanit janë të çmendura, por pse jo? Nëse revolucioni i boksit materializohet për të kthyer Arabinë Saudite në Las Vegas të ri, revolucion i udhëhequr nga rimeçi më 7 dhjetor mes Anthony Joshuas dhe Andy Ruiz Jr., atëherë gjurmët e Al Qahtanit do të gjenden si boksieri i parë profesionist vendas.
“Luftëtari arab”, siç mban nofkën, kishte boksuar në mbrëmjen finale të World Boxing Super Series vitin e kaluar në Arabinë Saudite, kur Callum Smith e nokautoi George Grovesin. Ai ishte boksieri i dytë saudit në këtë mbrëmje, por i pari që zhvilloi një karrierë profesioniste.
Është një copë unike e historisë që u bë në qytetin e tij të lindjes Jeddah, por u bë e mundur falë disa viteve si tinejxher në lagje të vështira në jug të Londrës.
Një fëmijëri e lumtur në Arabi Saudite u prish kur familja Al Qahtani dërgoi atë dhe pesë vëllezërit e tij për të jetuar në Londër, për të studiuar atje dhe për të mësuar gjuhën angleze.