Ish-anëtari i të gjitha përzgjedhjeve të të rinjve të përfaqësueses së Serbisë në futboll, Arton Zekaj së shpejti do të mundë të veshë fanellën e shtetit, siç e quan “Blici” i Beogradit, të rremë të Kosovës.
Ish-juniori i Partizanit dhe kapiteni i përfaqësueseve të rinjve të Serbisë ka marrë ofertë nga Fadil Vokrri, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, që të luajë për ekipin kombëtar të tij, transmeton Koha.net.
“Ftesa ka mbërri, por duhet të mendoj mirë para se të vendosi. Ende s’kam vendosur”, i ka thënë Zekaj, 18 vjeç, gazetës “Blic” të Beogradit.
I pyetur nëse ka frikë nga reagimet në Serbi, vendit ku ka lindur, Artoni është përgjigjur:
“Jo, nuk ma thotë mendja të kem probleme. Kjo varet nga shumë rrethana, unë jam i lindur në Sombor, kam pasaportë serbe, kam luajtur për Partizanin dhe kategoritë e reja të Serbisë, dhe kam qenë kapiten i tyre. Ta dini, sikur të dija se në të ardhmen do të kem ftesë për përfaqësuesen tonë A, do të mbetesha me fanellën e ‘orlica’”, citon gazeta Artonin.
Aktualisht Zekaj është anëtar i “Sopotit” dhe lojtari më i mirë ligës së tretë të Serbisë.
“Ne kemi treguar interesim të madh që anëtari i përfaqësueses së të rinjve të Serbisë të paraqitet në përfaqësuesen e Kosovës. I njohim mirë cilësitë e tij dhe shpresojmë se në fund çdo gjë do të dalë mirë. Ai në fund vendos vetë, pastaj si për të gjithë lojtarët pason procedura e lidhur me kërkesën FIFA-s dhe shpresojmë për leje përfundimtare. Shpresoj të mos ketë kurrfarë problemesh, ai është me origjinë nga Kosova, ndërsa ardhja e tij do të ishte shumë e rëndësishme për ne”, i ka thënë TV Kosova 2 (në gjuhën serbe) kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, transmeton Koha.net.
Zekaj luan në pozitën e mesfushorit.