Është shqetësues fakti që sektori i Transportit dhe Logjistikës në Kosovë po përballet me një krizë të madhe. Aktualisht, transporti rrugor është mënyra kryesore e transportit të mallrave në vend, duke përfshirë eksportet dhe importet. Megjithatë, ky sektor jetik është në rrezik të madh për shkak të politikave të dëmshme të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ministria ka bllokuar procesin e certifikimit të shoferëve dhe menaxherëve të transportit, të cilat janë thelbësore për operacionet ndërkombëtare. Pa këto dokumente, kompanitë kosovare nuk mund të operojnë në tregun ndërkombëtar, duke penguar eksportin dhe importin e mallrave. Kjo bllokadë thuajse njëvjeçare po ndikon negativisht jo vetëm në operacionet e përditshme, por edhe po rrezikon anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare International Road Union – IRU me bazë në Gjenevë, ku Kosova është një anëtar i barabartë.
Shumë biznese janë duke u detyruar të kërkojnë zgjidhje në vendet fqinje. Kjo sjellje nga insitutcionet tona tregon një mungesë interesi për të qenë një anëtar i barabartë në arenën ndërkombëtare (IRU) dhe shkakton konfuzion në kufijtë dhe doganat e ndryshme. Një shembull: Një kompani nga Kosova, nga nje qytet me adrese ne Kosove, detyrohet të marrë certifikimin nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, apo vendet tjera. Si rezultat, adresa e saj figuron në atë shtet, ne dokumentin qe do ta marr, duke zhdukur identitetin e Kosovës në dokumentacionin ndërkombëtar. Ky proces jo vetëm që shkakton konfuzion në kufijtë dhe doganat e ndryshme por po shkakton edhe humbje kohe dhe kosto të larta – deri në 2000 euro, por edhe ngarkesa burokratike për t’u pajisur me certifikim në vendet fqinje, ndërsa në Kosovë kjo kosto ishte vetëm 500 euro.
Pa këto dokumente, bizneset kosovare rrezikojnë gjobitje të larta – mbi 3000 euro dhe ndalime operimi deri në tre muaj nga shtetet fqinje ose ndërkombëtare. Për më tepër, mungesa e këtyre dokumenteve pengon marrjen e licencës si Operator i Transportit dhe Logjistikës në Kosovë, pasi Ministria kërkon këto dokumente për të vazhduar licencën, por nuk jep udhëzime apo adresë se ku mund të merren.
Është e qartë se ky problem është rezultat i mungesës së përgatitjes dhe përvojës së personave që udhëheqin sektorë kaq të rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Këto politika jo vetëm që rrezikojnë bllokimin total të sektorit të transportit dhe logjistikës, por edhe dëmtojnë rëndësinë dhe rolin e Kosovës në tregun ndërkombëtar.
Duke hulumtuar në internet, veçanërisht tek institucioni International Road Union me bazë në Gjenevë të Zvicrës, evidentohet se një bllokim dhe politikë të tillë është vetëm nga shtete si Irani dhe Gjeorgjia.
Kjo tregon gjendjen në të cilën jemi dhe në kategori më cilat shtete po hyjmë .
Është thelbësore që të kuptohet rëndësia e këtij sektori për ekonominë e Kosovës, veçanërisht kur vendi nuk ka transport detar apo hekurudhor të zhvilluar.
Zgjidhja e kësaj krize është urgjente për të siguruar vazhdimësinë dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit.
A thua ka mbetur zë lobus në interes të mbrojtjes së sektorit privat në Republikën e Kosovës!