Alarmon deputeti Shala: Marsi i 2004 mund të përsëritet

Prishtinë | 11 Tet 2016 | 15:24 | Nga

Njohës të çështjeve të sigurisë dhe disa përfaqësues të opozitës kanë paralajmëruar se vendimi i Listës Serbe për të ngrirë aktivitetin e tyre në kuadër të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, mund të ndikojë në përkeqësimin e gjendjes në veri.

Madje, ka pasur zëra të cilët thonë se qeveria duhet të jetë e kujdesshme, pasi shumë lehtë mund të përsëriten skenat e marsit të vitit 2004.

Mirëpo, më këto konstatime nuk po pajtohet, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Haxhi Shala.

Ky i fundit në një prononcim për Indeksonline ka thënë se nëse ndodhë të përsëriten skenat e vitit 2004, atëherë kjo mund të ndodhë si rezultat i gjendjes së rëndë ekonomike e sociale në vend.

“Marsi i 2004 nuk ka ndodhur vetëm në veri, por ka ndodhur në tërë territorin e Kosovës për shkak të gjendjes se krijuar aso kohë. Nëse, ndodhin trazirat e vitit 2004, atëherë mund të ndodhë për shkak të gjendjes jashtëzakonisht të rëndë ekonomike në vend por jo për shkak të vendimi të fundit të Listës Serbe”, ka thënë Shala.

E sa i përket tërheqjes se Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, deputeti i Nismës thotë se kjo tërheqje e tyre nuk do të zgjasë shumë. Pasi ai thotë se kryeministri serb është i shantazhuar nga Bashkimi Evropian dhe ai shumë shpejt pritet të vendos që Lista Serbe të kthehet në qeveri.

“Nuk është e arsyeshme të bëhet shumë zhurme për këtë çështje. Edhe nëse nuk kthehet do t’i ndalej hovi themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, ka shtuar Shala.

Për miratimin e Ligjit për Trepçën, ai thotë se mund të ketë ndonjë protestë të vogël, por e cila nuk do të ndikojë në përshkallëzimin e gjendjes në veri./

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme