Flakët, tymi, gazi lotsjellës e dhuna kapluan rrugët e Serbisë natën e 28 qershorit.
Kjo pasi forcat policore u dolën përballë mijëra protestuesve të udhëhequra nga studentët.
Madje, veç policisë aty u panë edhe persona të cilët kishin marrë pjesë në sulmin e Banjskës në Kosovë e që ishin të udhëhequr nga Milan Radoiçiq.
Për gjendjen e rëndë në Serbi është deklaruar ish-deputeti i Serbisë Dorde Miketiç, i cili për Euronews Albania ka deklaruar se represioni nga regjimi i Vuçic po shkon duke u përshkallëzuar.
“Kemi hyrë në fazën e represionit dhe pas protestës së qershorit po shohim protesta të reja që janë përhapur kudo në rreth 70 lokalitete të Serbisë ndoshta në 8 deri në 10 zona të Beogradit njerëzit kanë dalë në rrugë dhe po i bllokojnë ato. Ne shohim përshkallëzimin e represionit por edhe reagimin e studentëve dhe qytetarëve që kanë mbushur rrugët duke i bllokuar ato dhe hekurudhat dhe ndaj tani po shohim një protestë të përhapur në të gjithë Serbinë”, është deklaruar Miketiç.
Ai shton se njerëzit më nuk do ta lejojnë shtypjen nga Vuçic dhe se protestat më nuk do të mund të ndalen.
“Njerëzit tani janë të lodhur nga ky represion dhe nuk mund të tërhiqen”, ka deklaruar Miketiç.
Aleksandar Vuçic edhe kishte paralajmëruar para mbajtjes së protestës së 28 qershorit se rreth orës 21 pritet të ketë dhunë dhe eskalim të situatës, gjë që edhe ndodhi.
Kjo ka bërë që shumë qytetar të akuzojnë se dhuna ishte përgatitur nga vet Vucic në mënyrë që të frikësojë studentët dhe qytetarët që po protestojnë tash e disa muaj.