Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari nga radhët e VV-së, Alban Krasniqi ka akuzuar disa përfaqësues të partive politike në KQZ se po tentojnë, me vetëdije, të dështojnë procesin e votimit përmes postës për diasporën. Ai sugjeroi që pika e tretë e rendit te ditës të hiqet, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi tha se ka dy çështje kryesore që po e rrezikojnë procesin: njëra lidhet me shpenzimin e panevojshëm të buxhetit, e tjetra me pamundësinë administrative për realizimin e operacionit.
“Kemi dy aspekte, ne me vetëdije po duam me shty përpara me harxhu një buxhet prej 4 milionë eurove dhe dihet që nuk do ta ketë efektin e tij për atë që planifikojmë. E dyta, në aspektin administrativ kemi informacion se nuk është e mundur që mund të kryhet si operacion. Por në anën tjetër kemi disa anëtarë që duan me çu drejt dështimit një proces”, deklaroi Krasniqi.
Ai shtoi se faktet janë të qarta dhe se megjithatë po tentohet me çdo kusht të shtyhet procesi përpara, duke e quajtur këtë veprim “hipokrizi” dhe tentim për mashtrim.
Sipas tij, në planin operacional të KQZ-së, periudha e votimit përmes postës nis më 12 dhjetor, dhe sekretariati i këtij institucioni ka konfirmuar se 10 ditë pasi vendimi të hyjë në fuqi, fletëvotimet duhet të jenë te votuesit.
“Ne me vetëdije po dojmë me shpenzu mjete që kanë zero efektin sepse në fund të fundit, në planin tonë operacion, periudha e votimit përmes postës fillon 12 dhjetor. Dhe kemi konfirmimin nga vet sekretariati që 10 ditë pasi të hyjë në fuqi kjo, ne duhet t’i dërgojmë me 12 fletëvotimet. Duhet të arrijnë te votuesit në mënyrë që ata të fillojnë votimin përmes postës. Dhe sapo e morëm konfirmimin nga sekretariati që deri me datën 21 nuk ka shans të ndodhë, që është mohim i mërgatës që të votojnë përmes postës. Dhe çfarë mbetet? Tek një numër i vogël, në rastin më të mirë, që të arrijnë me kohë të dërgojnë zarfin e tyre me fletëvotimit“, theksoi.
Krasniqi akuzoi përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe se po e shtyjnë përpara një vendim që bie ndesh me Kushtetutën.
“Të njëjtat parti bashkë me kryesuesin e asaj kohe e kanë detyru sekretariatin me shku në Nish për të bërë tërheqjen e postës me zarfe që kanë qenë të Listës Serbe. Pas 11 vitesh po përdorin forma të kundërta për me ja mohu mërgatës të drejtën e tyre”, tha ai.
Për këtë reagoi anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, i cili tha se në vitin 2017 një anëtar i LVV-së kishte kërkuar që të pranoheshin të gjitha votat e ardhura nga Serbia.
“Kolegu i tij ka kërkuar të pranohen të gjitha votat nga Serbia, ndaj të cilit unë personalisht kam kërkuar që të largohet. E kemi memorien e kthjellët dhe rekomandoj që të votohen rekomandimet e ardhura,” tha Gashi.
