Alban Ramabaja është emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Emërimi i tij në këtë pozitë është bërë të martën nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Në njoftimin e lëshuar nga AAC-ja, thuhet se Ramabaja është profesionist i fushës me përvojë mbi 20-vjeçare në aviacion.
“Alban Ramabaja është profesionist i fushës, me përvojë mbi 20-vjeçare në aviacion, me përgatitje akademike në inxhinierinë e komunikacionit dhe transportit si dhe kualifikime të shumta profesionale në fushën e aviacionit dhe transportit. Përvoja e tij në aviacion ka filluar nga viti 2001, në ANP në pozita të ndryshme që lidhen me operimet e aeroplanëve në tokë, dhe si instruktor për disa trajnime profesionale, kurse 6 vitet e fundit, deri në vitin 2013 ishte menaxher i operimeve në platformë dhe shërbimeve për kargo. Më tutje, që nga viti 2013, është angazhuar si Inspektor i Aerodromeve në AAC, dhe vitet e fundit po ashtu edhe si Këshilltar për Aviacionin Civil në kabinetin e MMPHI-së, i deleguar nga AAC-ja sipas Ligjit për Aviacionin Civil, për koordinim ndërinstitucional në proceset dhe projektet specifike të Qeverisë për aviacionin civil”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Ramabajës i është dorëzuar detyra nga Arianit Islami.