Dega e Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka organizuar konferencë shkencore me titull: “Studime për leksikun dhe leksikografinë dialektore”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë konferencë emra të shquar të shkencës së albanologjisë kanë prezantuar punimet e tyre në ambientet e Institutit Albanologjik.
Sipas organizatorëve, qëllimi i konferencës ishte prezantimi i punës dhe projekteve që janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër, njëkohësisht dhe nxjerrja në pah e studimeve dhe të arriturave të viteve të fundit nga fusha e leksikografisë.
Shefi i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik, Naim Berisha, theksoi se në vitin 2019 janë bërë projekte të shumta të gjuhësisë kushtuar leksikografisë.
Sipas tij, gjuhëtarë nga vendi e rajoni sot do të shtrojnë kërkesat e tyre për të ardhmen e leksikografisë dhe fjalorit leksik.
“Jam i nderuar që po e hap këtë konferencë shkencore në të cilën po marrin pjesë emra të shquar të albanologjisë. Në kuadër te realizimit të punës për vitin 2019, pas shumë propozimeve kjo konferencë është parë si një mundësi për të shpalosur të arriturat. Instituti albanologjik në vazhdimësi i ka kushtuar rendësi projekteve të kësaj fushe. Në vitet e fundit në degën e gjuhësisë janë bërë projekte të shumta kushtuar leksikografisë. Sot do të shtrohen kërkesat e reja për të ardhmen e leksikografisë dhe fjalorit leksiko”, u shpreh ai.
Leksikografi nga Shqipëria, Valter Memisha, ka prezantuar veprën e leksikografisë së Abdullah Zymberit, për të cilën tha ai se fjalët e ndërtimeve popullore e veshjeve, gatimeve ,veprimeve të njerëzve duhet të ngritën në normë dhe të përfshihen në një fjalor të madh të shqipes.
“Kam nderin të lexoj veprën e leksikografisë se Abdullah Zymberit. Është fjala për fjalorët e rralla, dhe shembujve të cilët sipas të të dhënëve identifikuese në këtë fjalor aty janë tërësitë të dialektit të veriut. Sipas krahinës kanë sjell dy rrjedhoja duke sjellë shumë fjalë të cilat bëjnë pjesë edhe në të folmen e toskërishtes. Bardhoshe-bardhuc, pik-qukapik etj. fjalorthi sa do i vogël në numër jep mundësinë për të shtjelluar disa ide që kapërcejnë kufijtë e tij. Shumë nga fjalët e ndërtimeve popullore e veshjeve e gatimeve e veprimeve të njerëzve i kanë kontributet për tu ngritur në normë dhe për tu përfshirë në një fjalor të madh të shqipes. Fjalët e prejardhura i kapërcejnë kufijtë e lehtë dhe mund të bëhen pjesë e shqipes standarde”, tha ai.
Studiuesja në Institutin Albanologjik, Shefkije Islamaj, theksoi se shumë frazema me arkaizma dhe historizma përdoren edhe nga mediet sot.
“Frazeologjia e një gjuhe mund të shtrohet ashtu sikur leksiku i saj. Frazemat me arkaizma dhe historizma me burime oriental që mund të merren nga gjuhët e tjera pa asnjë përcaktues. Përdorimi është mjaftë i shtrirë publicistik e bisedor dhe jo në letërsi. I bie kavalli, vrima e kavallit, me ra hise, e kishte bërë shtëpinë han, e kishte për ilaç. Kam hallin, bëjë hallin, ishte në ditën e hallit, e qan hallin kalorësit. Kjo përdoret mjaftë shumë dhe shumë shpesh edhe në gazeta e portale sot, p.sh halli i politikës”, tha ajo, raporton EO.
Ndryshe, në këtë organizim pjesëmarrës ishin leksikografë nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjilanit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (ASA) në Tiranë, Universiteti i “Ismail Qemaili” Vlorë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Katedra e Albanologjisë e Universitetit të Beogradit, Universiteti “Cyril and Methodius” Shkup, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore.