Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka hedhur dyshime nëse mënyra se si u votua Nenad Rashiqi nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe, është e ligjshme.
“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i “shortit” nuk ka mundur të aktivizohet”, tha Krasniqi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit Dimal Basha thirri procedurën e shortit për propozimin e Rashiqit, pasi të gjithë kandidatët e Listës Serbe dështuan t’i merrnin votat e nevojshme dhe Igor Simiq nga kjo parti nuk e propozoi Rashiqin.
“Ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës”, shtoi Krasniqi, njohës i çështjeve politike dhe kushtetuese.