Albian Ajeti drejt titullit të golashënuesit më të mirë në Zvicër

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 16:39 | Nga

Futbollisti shqiptar ka shënuar 13 gola, një më pak se Guillaume Hoarau me 14 gola të shënuar.

Gara për golashënuesin më të mirë në Kampionatin zviceran mbetet ende e hapur dhe shumë e ngushtë. Për këtë epitet janë duke garuar Guillaume Hoarau dhe Albian Ajeti, të cilët do të përballen nesër njëri me tjetrin. Futbollisti shqiptar nuk do ta lë këtë titull në duart e kampionit YB, por kërkon që të jetë pasardhësi i Seydou Doumbia, transmeton albinfo.ch.

Po ta kishte realizuar rastin e madh në minutën 94, gara do të ishte edhe më e ngushtë. Por, Albian Ajeti gjuajti përskaj rrjetit dhe mbeti në shifrën e 13 golave të shënuar. Listës i prin sulmuesi i kampionit aktual YB, Guillaume Hoarau me 14 gola të shënuar.

Kanë qenë dy ndeshjet e fundit që Albiani i është afruar kaq afër golashënuesit të YB. Edhe pse i futur në lojë si zëvendësim, ai arriti të shënojë tre herë. Nesër pritet një ndeshje vërtetë interesante dhe vendimtare për Albian Ajetin, i cili pritet të luaj titullar.

I pyetur nëse ka gjasa për ta fituar këtë epitet, Albiani për “Grenchner Tagblatt” ka deklaruar: “Një kurorëzim i tillë me siguri se do të jetë një nder i madh për mua, edhe nga fakti se sulmuesit vlerësohen me shënimin e golave”, përcjell Albinfo.ch.

Për sulmuesin 21-vjeçar shqiptar, ky titull do të kishte qenë i pari i këtij lloji në karrierën e tij. Megjithatë, ky nuk është prioritet i tij, pasi sukseset e ekipit dhe fitorja ndaj YB-së janë më të rëndësishme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme