Albin Kurti duhet të bëhet i sinqertë me qytetarët, kishte vetëm dy opsione

Prishtinë | 23 Mar 2023 | 19:38 | Nga Liri Loshi

Gjynah t’i dëgjosh deputetët e Vetëvendosjes duke mos ditur ta arsyetojnë pranimin e Asociacionit. Sa i përket anës ligjore që përcaktojnë komptencat e Asociaciacionit, nuk ka asnjë risi, ta paktën jo tash për tash. Atë që tash po mundohet të na e garantojë Albin Kurti dhe deputët telallë të VV-së, njësoj na e ka garantuar Isa Mustafa kur ka treguar se në Marrëveshje ka qenë një klauzolë që nuk do ta bënte valid Asociaciacionin pa kaluar nëpër Gjykatën Kushtetuese.

Edhe tani, pavarësisht se si do të merren vesh për kompetencat e këtij asociacioni, ai do të kalojë nëpër Gjykatën Kushtetuese para se të zyrtatizohet definitivisht.

Atëherë, cili është roli i Albin Kurtit këtu? I vetmi rol është që ai ta implementojë të njëjtën Marrëveshje, pra atë të vitit 2015, por me vërejtjet kushtetuese.

Dhe roli tjetër është që më në fund, të jetë i sinqertë me qytetarët dhe ta pranojë faktin se ai tash nuk është duke bërë asgjë më shumë se sa do të bënte një kryeministër i LDK-së, PDK-së, apo AAK-së, pra ai po e zbaton Marrëveshjen për Asociacionin që është obligim nga i cili nuk mund të shmanget.

Albin Kurti ka pasur vetëm dy mundësi. Dy dhe jo tri! E para, të refuzojë marrëveshjen dhe të japë dorëheqje dhe e dyta, ta pranojë marrëveshjen dhe të vazhdojë punën si kryeministër. Dhe, ka zgjedhur opsionin e dytë. Ky opsion unë konsideroj se është më i mirë për Kosovën, por duket se është më i mirë edhe për Albin Kurtin, sepse i siguron atij mandatin e plotë të kryeministrit.

Mirëpo, a është vendimi i tij konform me kauzën e tij për Asociacionin? Jo, jo dhe jo! Nëse ju kujtohet një fjali kur para pak ditësh shkrova se unë besoj se nuk është koha të merremi me Kurtin, por me procesin dhe se ”AK do të ngulet në kunjin e vet”, e nëse nuk e keni kuptuar, ky është kunji i Albinit në të cilin ai tashmë është i ngulur.

Unë personalisht, jam këtu të jap opinionet e mia për proceset dhe fenomenet politike, por jo edhe t‘i justifikoj veprimet e liderit të një partie politike që është edhe kryeministër i Kosovës, kur ai bie ndesh me kauzat që ka ngritur. E kam thënë edhe më parë dhe po e them prapë, mua le që nuk më pengon transoformimi i Albin Kurtit, por edhe më gëzon, sepse Kosovës i duhen politikanë realistë dhe je idealo-utopistë që bëjnë projekte nga ëndrrat që shohin.

Me një fjalë, Kosovës i duhet ky Albin që është tash dhe jo ai që ishte dikur. Se si do të sillen votuesit në të ardhmen, ajo është çështje e tyre. Koha është që pas lakuriqësimit të mbretit, të lakuriqësohen edhe oborrtarët, ushtarët e hyzmeqaret. Dilni nga ëndrrat dhe prekeni realitetin.

P.S. Pavarësisht se si sillen me mua simpatizantët e Vetëvendosjes, unë përseri do të vazhdoj ta mbështes çdo proces pozitiv për Kosovën. Për mua kryeministri Kurti po luan rol pozitiv në këtë fazë për vendin tim dhe në këtë drejtim e ka mbështetjen time. Se si do ta menaxhojë ai ndeshjen e tij me kauzat që ka ngritur, është problem i tij dhe jo imi. Mua më intereson çka fiton e çka humbë Kosova dhe jo çka fiton e çka humbë Albini.

Të ngjashme