Albin Kurti: Gjërat që na bashkojnë e na ndajnë me LDK-në

Prishtinë | 29 Gus 2017 | 09:52 | Nga

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, thotë se problemet e partisë së tij me LDK-në janë “të tejkalueshme” dhe ato lidhen kryesisht me bashkëpunimin e kësaj të fundit me PDK-në gjatë mandatit të kaluar qeverisës.

Në një intervistë për gazetën Jeta në Kosovë, Kurti tha se Vetëvendosje i mban dyert e mbyllura për PDK-në edhe në nivelin lokal, pavarësisht se ndonjë situatë mund të kërkonte koalicion pas zgjedhjeve të 22 tetorit.

“Kush është i ndershëm brenda PDK-së e ka derën e hapur tek ne, por koalicion me atë subjekt nuk do të bëjmë”, tha Kurti në intervistën e realizuar me shkrim.

“Besoj që pyetja duhet të kishte renditjen e anasjelltë, pasi është më e rëndësishme se çka na bashkon, e më e parëndësishme çka na ndan. Çka na bashkon është nevoja e Kosovës për ndryshim rrënjësor. Kapja e shtetit ka pamundësuar zhvillimin ekonomik, luftën ndaj korrupsionit, ndërtimin e institucioneve demokratike, integrimet euro-atlantike”, tha Kurti.

“Tentakulat e oktapodit që ka kapur shtetin janë shtrirë kudo, prej ekonomisë familjare te shtresat e mesme e të ulta e deri te bizneset e vogla e të mesme që ballafaqohen përditë me falimentimin. Këta kanë kapur edhe gjykatat prej atyre të shkallës së parë e deri te Supremja e Kushtetuesja. Të kapur e kanë edhe policinë e prokurorinë, ku disa nuk guxojnë e një pjesë as që duan të merren me hetimin e arrestimin e kriminelëve të mëdhenj. Kështu që ka nevojë për ndryshim e për çrrënjosje të kapjes, kjo na bën që të kërkojmë bashkimin me të gjitha forcat që i rezistojnë krerëve të PDK-së dhe SHIK-ut”, sqaroi ai.

“Çfarë na ndan është sigurisht historia e tyre e bashkëpunimit me PDK-në, por mendoj se kjo është e tejkalueshme nëse sot ata shfaqin vendosmëri për të ecur përpara, si dhe sinqeritet e besnikëri në bashkëpunimin me ne. Kur je i vendosur për të ecur përpara, theksohet e përbashkëta. Kur frikësohesh nga ndryshimi ose je rehat në status quo, atëherë hulumton për të gjetur dallimet”.

“Po e bëni këtë pyetje a thua se po flasim për diçka të pamundur. Pjesëmarrja në Procesin e Berlinit të gjashtë kryeministrave të Ballkanit Perëndimor ende të paanëtarësuar në BE imponon takime të tilla.  Në fakt, takimi me kryeministrin apo presidentin e Serbisë është gjëja më e rëndomtë që ka bërë secili kryeministër apo president i Kosovës deri më tash, diçka që e rrok edhe imagjinata më e zbehtë. Si kryeministër i Kosovës unë do të zbatoj protokollin në marrëdhëniet ndërkombëtare ku do të jenë prezentë të dyja palët. Megjithatë, unë do të artikuloj në nivelin më të lartë interesat e Kosovës dhe të kombit shqiptar, brenda rregullave të diplomacisë”.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme