Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në 37 vjetorin e rënies së tyre.
Shkrimin e plotë të Kurtit e gjeni më poshtë:
Sot është 37 vjetori i rënies së tre dëshmorëve të kombit, vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe bashkëveprimtarit të tyre, Kadri Zekës, të cilët u vranë në një atentat të organizuar nga shërbimet sekrete jugosllave më 17 janar të vitit 1982, në Untergruppenbach, në Stuttgart, të Gjermanisë. Vetë Jusuf Gërvalla, i gjetur ende i gjallë nga autoritetet gjermane, tregoi se pritën ua kish ngritur UDB-ja.
Edhe pse për luftën flitet shumë, pak e dinë se para tre luftërave të fundit të zhvilluara në Kosovë, Maqedoni e Luginë, ka qenë edhe një luftë tjetër. Vetëm gjatë viteve të ’80-ta janë më shumë se 200 dëshmorë, shqiptarë të angazhuar në organizatat çlirimtare të Kosovës e të trojeve të tjera në ish Jugosllavi. Në atë dekadë, mbi 80% e të burgosurve politikë në krejt ish Jugosllavinë ishin shqiptarë!
Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe e Kadri Zekës ndodhi në një moment të rëndësishëm në historinë e rezistencës e të organizimit çlirimtar të shqiptarëve. UDB-ja i eliminoi këta tre veprimtarë të shquar, pikërisht në kohën kur Jusufi e Kadriu me shokë po punonin që të bashkoheshin organizatat ilegale të kohës. Bashkimi i organizatave ndodhi megjithatë pas vrasjes së tyre, dhe ky ishte një hap i rëndësishëm, pa të cilin do të ishte i pamundur organizimi për luftë çlirimtare në vitet ’90 e i cili kulmoi me UÇK-në.
Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e këtyre veprimtarëve. Sot, kur shohim rininë tonë të zhgënjyer nga liria, nuk mund të mos mendojmë se shumëçka është bërë gabim, sepse nuk janë respektuar ëndrrat e dëshmorëve, por urdhrat e tiranëve.
Poezinë e tij “Do të kthehem nënë” Jusuf Gërvalla e mbyll me vargjet “N’atë vatër ku së pari zëri im jehoi / Andej nipat le të ngrejnë shtëpinë”. Ky amanet i Jusuf Gërvallës, i cili e ka ditur se në rrugën të cilën po ndiqte do të ishte shumë e vështirë të kthehej i gjallë tek nëna e mëmëdheu, do të duhej të na ndriçonte të gjithëve ne sot. Shtëpinë tonë të përbashkët do të duhet ta ngrinim andej ku ka jehuar zëri i Jusuf Gërvallës e i prijësve e dëshmorëve të tjerë. Jo në kuptimin gjeografik, por në kuptimin e rrugës që duhet ndjekur, për një Kosovë me drejtësi për popullin e saj, për një Kosovë që i zhvillon burimet e veta natyrore e potencialin e vet produktiv, për një Kosovë pa korrupsion e hajni masive qeveritare, për një Kosovë ku udhëheqin qytetarët e saj, demokratikisht, e jo ku përzihen në gjithçka shërbimet sekrete e vetë UDB-ja edhe pas çlirimit. Ideali i dëshmorëve për lirinë dhe zhvillimin e Kosovës është rruga, e kush ka menduar që ka rrugë tjetër, ka gabuar rëndë.
Lavdi e përjetshme për Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën!