“Një shtet përtokë, që gjakonte në gjitha anët e tërësisht. I papërgatitur për sfidat e shekullit të XXI-të”.
Po të mos e dinim autorin e këtyre rreshtave, krejt arsyeshëm, do të mund të thoshim se me siguri janë nxjerrë nga libri i Vladan Gjorgjeviqit, “Arnautët dhe fuqitë e mëdha”, ku e drejta e shqiptarëve për të pasur shtet kontestohej për shkak të “mospjekurisë civilizuese” të tyre.
Po ashtu, këta rreshta mund t’iu përzihen me ndonjë intervistë të Sllobodan Millosheviqit dhënë për mediat e huaja, kur thoshte që shqiptarët e Kosovës “nuk dinë dhe nuk do të mundin kurrë vet të bëjnë shtet”.
Por, ja që autori i tyre është rrafsh e barabartë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me diskursin e tij, tash e shumë vjet, na ka kurthuar në tregimet që nuk janë tonat.
Duke provuar të na mbushë mendjen që Konferenca e Rambujesë ishte gabim, Plani i Ahtisaari-it ishte gabim, Trupat Mbrojtëse të Kosovës ishin gabim dhe për rrjedhojë edhe vet pavarësia me “flamurin lara-lara” ishte gabim.
Ku mundi e krijoi atmosferën humbëse të këtij vendi duke e mbjellë atë virus edhe pse Serbia ishte humbësja edhe pse ajo u bombardua.
Njëjtë po provon, atyre që nuk kanë memorie politike, t’u thotë që nuk ka progres që njëzet vjet dhe që krejt çka është ba gjatë këtyre viteve është e barabartë me kurrgja.
Nëse është siç thuhet, se autoriteti i Ibrahim Rugovës ishte “alibia” e legjitimimit të nënshtrimit gjatë një periudhe të caktuar, Kurti është autoriteti që “garantoi” kurthimin tonë në tregimet e Serbisë, duke na thënë se ne jemi humbësit, pa e njohur asnjë të arritur të Kosovës së pasluftës.