Albin Kurti tani është kryeministër. Qeveria e tij duhet të komunikojë me opinionin përmes personave të autorizuar.
Por edhe për funksionarët e partisë së Kurtit duhet të vlejë një kod i komunikimit. (Kjo, dorën në zemër, duhet të vlejë edhe për çdo parti tjetër).
Nuk është aspak serioze që daullexhi e kohorta agresive që hiqen si “përfaqësues të VV-së” të bërtasin herë nga Tirana, herë nga Kurveleshi, herë nga Kosova dhe të llomotisin e spekulojnë se LDK e dëshiron kthimin e Serbisë në Kosovë.
Këto fjalë janë primitive, antihistorike dhe janë rrena! Trilluesve të tillë, autorëve të këtyre fëlliqësive linguistike, populli i Kosovës ua ka treguar vendin që nga 23 dhjetori i vitit 1989, kur është themeluar LDK.
Kjo parti mund të bëjë gabime si çdo parti dhe për këtë e paguan çmimin (si çdo parti), por kjo nuk u jep të drejtë përrallëtarëve të helmojnë diskursin publik asnjëherë, e sidomos jo tani, në një situatë tejet delikate në të cilën gjendet Kosova.
Shansi që ka marrë VV për të qeverisur domethënë shumë përgjegjësi. Nuk është gjuajtje me fara të kungullit duke këqyrur filma partizanë në kinemanë pas kooperativës.
Si kryeministër i takon Albin Kurtit të përdorë autoritetin e tij për t’iu treguar militantëve se kur hyjnë në një parti nuk mund më të flasin çfarë t’u teket.
Kosova nuk duhet të jetë poligon i njerëzve që, të frustruar me gjendjen e mjerë politike në Tiranë, vijnë në Prishtinë e shesin mend për revolucion botëror apo për rishkrim të historisë së Kosovës.