Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimet e qeverisë Kurti për uljen e pagave janë të drejta.
Haxhiu përmes Facebook-ut ka shkruar se vendimi i sotëm për uljen e pagave për kabinetin qeveritar nuk do të ketë efekt juridik tek pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë.Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Haxhiu.
Tutje, Haxhiu ka shkruar se vendimet tregojnë se Qeveria Kurti do të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit.Këto vendime, janë mesazh i qartë se Qeveria Kurti do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo në shërbim të vetvetes”, ka shkruar Ministrja e Drejtësisë.
Sot në mbledhjen e dytë të qeverisë, Kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim që të shfuqizoj vendimin e qeverisë Haradinaj të dhjetorit 2017 për ngritjen e pagave për ish-kabinetin e tij.