Këngëtarja e njohur suedeze me famë botërore, Zara Larsson, ka bërë të ditur se muzika e albumit të saj të ardhshëm me titull, “Poster Girl”, është inspiruar nga grupi legjendarë i muzikës pop “ABBA”.
Ylli i hitit “WOW” pritet ta lansojë albumin e tretë të incizuar në studio, më 5 mars të këtij viti, dhe në një intervistë të fundit këngëtarja ka zbuluar se me muzikën e re, i ka përqafuar rrënjët e saj suedeze dhe ka gjetur inspirim nga artistët, muzikën e së cilëve e ka dëgjuar si fëmijë.
“Unë jam inspiruar nga legjendat e popit në Suedi, si ‘ABBA’, Roxette dhe Robyn. Jam vërtetë krenare me trashëgiminë time të muzikës pop. Një gjë të cilën e kam kuptuar është se, për mua, muzika pop ka qenë gjithmonë një formë e arratisjes. Tani i kemi rrjetet e ndryshme sociale si Tik Tok dhe Instagram, të cilat ju tërheqin dhe ju largojnë nga realiteti, por kur unë isha fëmijë, muzika pop ishte forma e vetme për mua që të arratisesha nga jeta e përditshme. Mbaj mend se e shikoja veten në pasqyrë dhe shtiresha sikur isha dikush tjetër. Mendoj se kjo ka ndikuar në dëshirën time për t’u marrë me muzikë dhe për t’i argëtuar njerëzit”.
Larsson ndër të tjera ka treguar se tema kryesore e këtij albumi, i cili vjen pas atij të vitit 2017, “So Good”, është dashuria. Këngëtarja 23-vjeçare e pranoi se në realizimin e këtij incizimi, ka pasur shumë më shumë ndikim dhe kontroll.
Ylli i hitit “Ain’t My Fault” është në lidhje dashurie me modelin, Lamin Holmén, dhe me shumë entuziazëm tregoi se po ndihet më e lumtur dhe e dashuruar se kurrë, dhe pikërisht kjo ndjenjë e ka ndihmuar ta përballojë pandeminë e koronavirusit.
“Do të tingëllojë paksa klishe por jam shumë e dashuruar dhe e lumtur. Dhe kjo më ka ndihmuar ta tejkalojë gjithë këtë situatë. Asnjëherë më parë nuk kam ndjerë dashuri të këtillë. Nuk di si ta shpjegoj këtë pa tingëlluar qesharake, por thjeshtë jam shumë e dashuruar. Askush nuk mund të jetë i fuqishëm duke qenë vetëm, veçanërisht gjatë situatave të këtilla, prandaj mendoj se të qenit në një lidhje të lumtur më ka ndihmuar shumë”, ka përfunduar Larsson.
Zara Larsson debutoi në tregun ndërkombëtarë në vitin 2013, duke u shndërruar menjëherë në një artiste shumë të dashur nga publiku dhe shumë të kërkuar për bashkëpunime nga yjet e muzikës. Ndër vite ka realizuar hite të mëdha të tilla si “Uncover”, “Ain’t My Fault”, “Lush Love”, “This One’s For You” dhe të tjerë.