Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mban të dislën kuvendin e jashtëzakonshëm të punës, ku rreth 600 delegatë pritet të diskutojnë për procesin e reformave në Parti, pjesë e të cilit do të jetë edhe miratimi i ndryshimeve në Statutin e AAK-së.
Sipas ndryshimeve të dakorduara nga Këshilli i Përgjithshëm, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me ndryshimet statutare që pritet të miratohen në Kuvendin e Punës, do të vendosë kritere të reja të organizimit të AAK-së, duke përfshirë edhe organizimin në pesë degë të veçanta në Prishtinë, si dhe do të aplikohet parimi, një delegat-një votë, me cka në fakt hapet kapitulli i zgjedhjeve të reja në të gjitha nivelet e AAK-së.
Me ndryshimet e propozuara, hapet edhe gara për kryetar të AAK-së, ku secili kandidat i propozuar për Këshill Drejtues, praktikisht është edhe kandidat potencial edhe për kryetar të Partisë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se synon që menjëherë pas këtij Kuvendi të Punës të fillojë procesin e reformave në Parti, për të qenë e gatshme që në çdo rrethanë të marrë përgjegjësi në procesin e shtetndërtimit dhe të zhvillimit të përgjithshëm të vendit.
Kuvendi i Punës i AAK-së i fillon punimet nga ora 11, në hotel “Emerald” dhe është i hapur për medie.