Aleanca sot ka publikuar zyrtarisht programin e saj zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u bërë subjekti i vetëm politik në garë që prezantohet para qytetarëve me një planprogram të detajuar, kornizë bazë të qeverisjes dhe platformë konkrete për secilën shtyllë të zhvillimit të vendit.
Me sloganin “Siguri, energji, zhvillim”, Aleanca paraqet vizionin e saj qeverisës, të përqendruar në tri shtylla kryesore që synojnë forcimin e shtetit, garantimin e sigurisë dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme.
Në profilin zyrtar të Aleancës në Facebook është publikuar vegza përmes së cilës qytetarët mund të kenë qasje të plotë në planin garues të subjektit, listën e kandidatëve për deputetë, planprogramin dhe dokumentet bazë që përcaktojnë orientimin qeverisës.
“Një qëllim për zhvillim. Dyfish energji. Tetëfish siguri”, është motoja mbi të cilën Aleanca ka ndërtuar ofertën e saj politike për këto zgjedhje, duke e konkretizuar atë përmes planit të detajuar për secilin sektor.
Përmes publikimit të programit të plotë, Aleanca synon të dëshmojë qasje serioze dhe të strukturuar ndaj qeverisjes, duke ofruar jo vetëm premtime elektorale, por plane konkrete dhe të matshme për secilin sektor.
“Siguri, energji, zhvillim” dhe “Një qëllim për zhvillim. Dyfish energji. Tetëfish siguri” mbeten mesazhet kryesore me të cilat Aleanca kërkon besimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, nën numrin 128.