Aleatët në aksion: BE dhe NATO “të angazhohen bashkërisht” për Kosovën

Prishtinë | 02 Kor 2024 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Në vitin 2013, kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, pritjet ishin që ajo të sillte frymë të re mes dy vendeve armiqësore, t’i trajtonte ndarjet etnike në Kosovë dhe t’i hapte rrugë integrimit më të madh ndërkombëtar të shtetit – atëkohë vetëm 5 vjeç. Udhëheqës të negociatave ishin Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq, kryeministër i Serbisë.

Ajo që i uli bashkë në tryezë dhe arriti t’i përafronte qëndrimet mes tyre pas gjashtë muajsh bisedime, ishte Catherine Ashton, atëkohë shefe e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Negociatat përfunduan. Teksti [i marrëveshjes] u nënshkrua nga të dy kryeministrat. Dua t’i përgëzoj për vendosmërinë gjatë këtyre muajve dhe për guximin që kanë”, tha Ashton në prill të 2013-ës.

Marrëveshja nuk u zbatua kurrë në tërësi prej asnjërës palë dhe ato fajësuan vazhdimisht njëra-tjetrën për dështime.

Ashton u zëvendësua në vitin 2014 nga Federica Mogherini, e cila ndërmjetësoi disa runde negociatash mes Kosovës dhe Serbisë, por dëshmoi edhe valë të reja të tensioneve mes tyre.

Në vitin 2019, pozitën e shefit të politikës së jashtme të BE-së e mori Josep Borrell, nën mandatin e të cilit Kosova dhe Serbia arritën edhe një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2023, por që, njësoj, nuk u zbatua.

Përkundër përpjekjeve javën e kaluar, Borrell nuk arriti t’i ulte bashkë në tryezë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të, siç tha, disa kushteve që nxori Kurti, e që Vuçiq nuk i pranoi.

Për të dyja vendet, normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të përparuar në rrugën e anëtarësimit në BE. Aktualisht, të dyja ato janë në vendndalim: Kosova nuk ka marrë asnjë përgjigje për aplikimin për anëtarësim, të bërë qysh në fund të vitit 2022, ndërsa Serbia, nga viti 2021, nuk ka hapur asnjë kapitull të negociatave për pranim.

Ndërmjetëse mes tyre, nga vjeshta, do të jetë Kaja Kallas, e cila do të konfirmohet në pozitën e shefes së politikës së jashtme të BE-së për pesë vjetët e ardhshëm. Kallas, aktualisht kryeministre e Estonisë, është shprehur pro integrimit evropian të Kosovës dhe ka theksuar, po ashtu, nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Të ngjashme