Alec Baldwin thuhet se ka anuluar projekte të tjera pas incidentit në xhirimet e filmit të tij, “Rust”, që la të vdekur kinematografen, Halyna Hutchins, ndërsa regjisori Joel Souza mbeti i plagosur.
Një burim për People tha se Baldwin, 63 vjeç, po kërkon t’i kushtojë pak kohë vetes dhe të ripërqendrohet, siç ka bërë gjatë periudhave të vështira edhe në të kaluarën.
“Kjo ishte shkatërruese për të. Kështu ai i trajton kohët e vështira. Sa herë që ndodh diçka e keqe, në një afat të shkurtër, ai largohet nga sytë e publikut”, ka thënë një burim.
“Ai ishte histerik dhe absolutisht i pangushëllueshëm për orë të tëra pas të shtënave. Të gjithë e dinë se ky ishte një aksident, por ai është absolutisht i shkatërruar”, vazhdoi tutje burimi, shkruan People.
Baldwin reagoi në lidhje me incidentin të premten në mëngjes, duke bërë një deklaratë dypjesëshe në Twitter.
“Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe pikëllimin tim për aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, gruas, nënës dhe koleges sonë shumë të admiruar”, filloi aktori.
“Unë jam duke bashkëpunuar plotësisht me hetimin e policisë për të adresuar se si ndodhi kjo tragjedi dhe jam në kontakt me bashkëshortin e saj, duke i ofruar mbështetjen time atij dhe familjes së tij. Zemra ime është thyer për burrin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halyna”, tha në postim aktori.
Burri i Hutchins, Matthew, me të cilin ajo ka një djalin, deklaroi po ashtu se ka qenë në kontakt me Baldwin.
“Kam folur me Alec Baldwin dhe ai na ka dhënë mbështetjen e tij”, tha Matthew për Daily Mail .