Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, me vendim të Qeverisë është emëruar kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri para Qeverisë propozoi shqyrtimin e propozim-vendimit për emërimin e komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës, ku me votim të plotë kryetar i komisionit u zgjedh prokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, raporton Ekonomia Online.
Anëtarë të komisionit u emëruan gjithsej katër me nga një zv.anëtarë.
Anëtarë të komisionit janë: Haxhi Gashi me zv.anëtarin e tij Albert Zogaj; Nebojsha Boricic me zv.anëtaë Gazmend Nushi; Afërdita Bytyqi me zv.anëtarë Qerim Fazliu si dhe Enver Peci me zv.anëtare Emine Kaqiku.
Procesi i emërimit të Lumezit në këtë pozitë ka qenë i bllokuar për shkak të dyshimeve të ngritura për falsifikim të provimit të jurisprudencës.
Emri i Lumezit është shkruar në tri variante në tri dokumente të ndryshme. Ndërsa, nën efektin e dritës vërehet qartë se nën emrin e Lumezit figuron një tjetër emër, ai i Zymer Krasniqit nga Deçani.
Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri i Lumezit në këtë libër, numri i të cilit përputhet edhe me dosjen e provimit të dhënë nga Lumezi në prillin e vitit 1991.
Në këto tri dokumente emri i Lumezit është shënuar në tri forma të ndryshme. Në dosje është me alfabet latin, në librin e paraqitjes së provimit mbiemri Lumezi është Llumezi, sipas alfabetit cirilik, derisa në librin amzë mbiemri është Ljumezi.
Një detaj tjetër është ai se vetëm tek emri i kryeprokurorit mungon vendlindja, derisa prapa ngjyrës së bardhë vërehet qartë emri i qytetit “Deçan”, që është i shkruar në cirilikë.
Nën efektin e dritës vërehet edhe emri Zymer Krasniqi.
Në Arkivin e Shtetit nuk kanë asnjë procesverbal se si arritën libra aty dhe se cila është arsyeja që vetëm librat mbi dhënien e provimit të jurisprudencës nuk janë origjinalë, por janë kopje.