Legjenda e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, është shtruar sonte me urgjencë në një spital në Britaninë e Madhe, pas problemeve të rënda shëndetësore, raportojnë mediet britanike.
Ish-trajneri shumëvjeçar i “Djajve të Kuq” raportohet se ka pasur gjakderdhje në tru, ndërsa aktualisht po trajtohet në spitalin “Manchester Hope”, një ndër më të mirët në Angli.
Sky raporton që Ferguson është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe do t’i nënshtrohet një operimi gjatë mbrëmjes së sotme.
Ndërkohë, dyshimet për probleme shëndetësore të Fergusonit janë shtuar edhe më shumë, pasi djali i tij, Darren Ferguson – që është trajner i skuadrës angleze Doncaster Rovers – ka njoftuar që do të mungojë në ndeshjen e kësaj mbrëmje për shkak të një problemi serioz të natyrës familjare.
Alex Ferguson, tashmë 76 vjeçar, ka qenë trajner i Unitedit nga viti 1986 deri më 2013, por pasioni i tij për futbollin nuk është shuar asnjëherë. Ai e ka udhëhequr të birin drejt përvetësimit të profesionit të trajnerit dhe rrallë herë mungon në Old Trafford kur luan ekipi i tij i jetës.