Përfaqësuesi i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ Ali Lajçi ka folur për zhvillimet e fundit rreth mundësisë së koalicionit VV – LDK, në një periudhë kur palët nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre në kërkesa për ndarje të balancuar intitucionale.
Lajçi ka komentuar në ‘RADIO 1’, ofertën e LDK-së, sipas të cilës kryeparlamentari duhet ti kthehet kësaj të fundit. Me këtë rast ai thotë se një gjë e tillë është punë që nuk bëhet, sepse nuk luhet me institucione. Madje Ali Lajçi thotë se LDK nuk po e kupton që një hap i ndërtimit të koalicionit veçse ka ndodhur, meqë me Glauk Konjufcën është votuar edhe Kujtim Shala.
“Formula e parë ishte e mirë. POr LDK, në tryezën fillestare donte të dilte partia e parë e ishte e dyta. Një koalicion ka ndodhur, sepse u votua Glauk Konjufca për kryetar dhe Kujtim Shala për nënkryetar, votimi i LDK-së dhe i joni për të dy këta ka bërë që të nododhë një koalicion. Prandaj LDK-ja ta dij se nuk ka lojë me institucione. Nëse don LDK-ja le ti heq votat e veta dhe nënkryetarin dhe ne smund ta ndalim. Bëhet fjalë për institucionin jo për njerëzit, tash nuk prishet kjo.”-tha Lajçi i VV-së.
Tutje Ali Lajçi ka thumbuar ish-partinë e tij duke ua kujtuar se disa gjëra janë kushtetuese dhe institucionale, kur bëhet fjalë për çështjen e kreut të Kuvendit. Lajçi tutje shtoi se pas deklarimit të sotëm të z.Grenell se nuk ka ardhur për punën e Qeverisë, ish-partia e tij LDK, nuk mund të fshihet pas asaj që kanë presion amerikan dhe duhet kështu apo ashtu.
“Me e heq Glaukun nuk është solucion. Është hap edhe juridik edhe politik i koalicionit. Ata duhet me e marrë vesh, me i lexu gjërat kushtetuese, e e di që ata e kanë bukur gazep këtë punë. Unë jam për zgjidhje dhe jo zgjedhje, por dy variantet janë të hapura, dyjat kanë vend edhe zgjedhjet edhe zgjidhjet.”-shton Lajçi.
I pyetur rreth mundësisë që VV të hap rrugë duke lëshuar pe me heqjen, shkarkimin ose dorëheqjen e Konjufcës, Lajçi thotë se për VV-në, LDK-ja këtë punën e ‘perit’ e ka bërë ‘konop’
“Le të gjejnë rrugë gjithësesi. Këtë far peni po e bëjnë konop.”-tha përfaqësuesi i VV-së Ali Lajçi