Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se kanë filluar të marrin masa shtesë për ballafaqimin me COVID-19 , pas rritjes së numrit të rasteve pozitive në këtë qytet.
Aliu ka thënë se për këtë ata kanë mbajtur një mbledhje me shtabin emergjent lokal, transmeton Klan Kosova.
“Qendrën e Mjekësisë Familjare në Neredime, ta shndërrojmë në hapësirë për trajtimin e rasteve të infektuar dhe dyshuar me virusin COVID-19, të cilat referohen në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizaj. Me hapësirën e re në QMF- Neredime rrisim kapacitetin në 50 shtretër shtesë për trajtimin e pacientëve”.
“Shkollën e papërdorur në Lloshkobare ta bëjmë gati si hapësirë alternative për trajtimin e pacientëve në rast rritjes së vazhdueshëm të kërkesës për hospitalizim. Hapësirat e objektit të vjetër të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik të rregullohen tërësisht në afat optimal për nevojat e trajtimit shëndetësor të pacientëve të infektuar apo dyshuar”.
“Me këto zgjidhje, Ferizaj mbulon nevojat për hapësira shëndetësore, duke pasur mjaftueshëm, për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin COVID-19. Po kështu, edhe medikamentet, pajisjet e materialet tjera mbrojtëse janë të bollshme për trajtimin e rasteve”, ka shkruar Aliu në rrjetin social Facebook.