Aliu: Gabim ka qenë animi i Qeverisë për zgjedhjet në Luginë

Prishtinë | 03 Qer 2024 | 19:19 | Nga Ekonomia Online


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu, ka thënë se gabim ka qenë animi i Qeverisë së Kosovës për një parti politike për zgjedhjet në Luginë të Preshevës.

Ai ka deklaruar se nuk mund të rrijë neutral për faktin se vetë vjen nga Lugina.

“Nuk po mund të rrij neutral në këtë pikë pasi që jam me origjinë nga Presheva, pavarësisht orientimit dhe simpatisë personale, po mendoj se kjo ka qenë gabim dhe veprim i gabueshëm”, tha ministri Aliu të hënën në RTK.

Ai po ashtu ka thënë se ka qenë edhe gabim që kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një tubim elektoral me një parti politike të caktuar nga Lugina e Preshevës, pasi që siç shprehet ai, kryeministri Kurti duhet të jetë përbashkues.

Madje, sipas tij pjesëmarrja në tubim dhe mbështetja e një partie tjetër ishte një gabim.

“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, ka deklaruar Aliu.

Të ngjashme