Koalicioni parazgjedhor, LDK-VV gjithnjë e më afër.
Deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu ka thënë se janë në diskutime për koalicion parazgjedhor me LDK-në, pasi sipas tij një koalicion i tillë është një nga mundësitë që gjendja në vend të ndryshojë, raporton EkonomiaOnline.
“Ne po zhvillojmë takime me përfaqësues politikë që para zgjedhjeve të ketë garanci që do ketë ndryshim të madh në këtë vend. Një nga mundësitë e ndryshimit është çështja e koalicionit parazgjedhor. Këto mundësi po diskutohet dhe besoj do ketë rezultate. Jemi në rrugë që diçka e tillë të ndodhë”, tha Aliu në një konferencë për media.
Aliu: Lumenjtë po shkatërrohen, institucionet po heshtin
Në këtë konferencë deputeti Aliu, ka folur edhe për gjendjen në lumenjtë e vendit, për të cilët akuzoi kompanitë e licencuara për minihidrocentrale, të cilat, sipas tij, po bëjnë shkelje ligjore dhe po i dëmtojnë ata.
Ai tha se institucionet po dështojnë të ruajnë lumenjtë të cilët kanë rëndësi jo vetëm për mjedisin por edhe për jetën e njerëzve.
“Qeveria ka rënë prej ditës që dha dorëheqje kryeministri. Po duket dhe ka heshtje të institucioneve. Po duket se aktiviteti i vetëm ka mbetur fushata. Ka mekanizma që nuk e kanë mendjen në fushata e ky është degradimi i lumenjve. Është e qartë se termocentralet po bëhen pa analiza të thella mjedisore. Kemi pas kërkesa nga Avokati i Popullit nga MMPH-ja por pa përgjigje. Ministria arsyetohet se nuk kanë mandat se po presin përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”, tha ai
Aliu tha se deri në ministri thonë se nuk kanë madat, në teren vazhdojnë punimet.
Ai tha se ka vizituar Shtërpcën ku ka parë që po synohet që uji të futet në gypa dhe askush nuk po ndërmerr masa.
“Ai ujë e mban gjallë tërë ekosistemin. Është e pakuptimtë cila mendje ka menduar t’i futë në gypa këta lumenj. I tërë ai dëm për banorët duke i lënë pa ujë që dikush të përfitojë ilegalisht. Këtu ka çështje konkrete hetimi. Lumi Bistrica tashmë është mbyllë, është futë në gyp. Të njëjtën duan ta bëjnë edhe në lumenj tjerë në Kosovë. Situata e njëjtë është paraqitur në Lumbardhë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mjedisin, por për jetën dhe ekonominë e qytetarëve”, tha ai.
Kryeministri Haradinaj vitin e kaluar pat marr vendim për ndalimin e hidrocentraleve në rajonin e Pejës, deri sa të bëhet një analizë e thuktë mbi ndikimin e tyre në mjedis.