Se sporti ferizajas ka rilindur duke u reformuar në çdo pore të saj është tashmë një fakt lehtë i verifikueshëm. Sukseset e klubeve emblematike të sportit ferizajas kanë arritur majat e tabelave në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. I tillë është edhe suksesi i Klubit të Futbollit “Ferizaj”, i cili ka shënuar një rekord të ri në sportin e futbollit, atë të 7 fitoreve radhazi. Për këtë qëllim, sot në zyrën e të parit të qytetit dhe sallën e Kuvendit të Komunës, Kryetari i Komunës, Agim Aliu bashkë me drejtoren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani dhe shefin e kabinetit, Selim Marevci, priti në takim Kryetarin e Klubit të Futbollit “Ferizaj”, Mustafa Grainca, kryetrajnerin Bylbyl Sokoli dhe drejtorin e klubit, Nadir Haxhimusa.
Entuziast për realizimin e ëndrrës së futbollit ferizajas, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se ky sukses është një rekord në futbollit ferizajas, ku nga fundi i renditjes tabelore, Ferizaj ka arritur të dal në top 5-shen e klubeve futbollistike në kuadër të Ligës së Kosovës. Ai tha se kjo është rezultat i punës së jashtëzakonshme të kryesisë së klubit, kryetarit, kryetrajnerit dhe lojtarëve që me djersën e tyre mbrojtën me shumë nder fanellën dhe ngjyrat e KF “Ferizaj”.
“Në kontekstin e Ligës së Kosovës dhe atakimet, shigjetimet që mund të vijnë nga anë të ndryshme dhe me qëllime të ndryshme dhe t’i rezistohet kështu siç keni rezistuar ju, unë përulem para kësaj dhe e keni mbrojtur fanellën e Ferizajt me shumë nder dhe e çmoj shumë. Ka mund të ndodh çfarëdo lidhje e vogël e ne mos me qenë në pozitën e 5-të, prandaj ju falënderoj shumë, krye trajner dhe gjithë ju lojtarëve secilin veç e veç që me djersë e keni mbrojtur fanellën tonë. Ky është nder që na takon neve t’iu falënderojmë ju që e keni mbrojtur këtë fanellë. Pra keni dhënë një kualitet të ri Ligës, keni dhënë një kualitet të ri vet sportit, por në esencë këtë e ndjej ndaj jush dhe ju falënderoj shumë. Ne sigurisht se së bashku me Presidentin, Kryesinë dhe Kryetrajnerin, do të takohemi dhe do të diskutojmë për të ardhmen, duke u munduar që të jemi edhe më shumë mbështetës. Ne asnjëherë nuk e llogarisim që jemi mbështetës të mjaftueshëm, karshi asaj pjese dhe mundi, kontributi që ju keni dhënë, por mbi të gjitha dëshirojmë që futbolli i Ferizajt të ketë vendin e duhur, vendin meritor. E kam thënë edhe gjatë futjes në Superligë, që ne kemi një ëndërr dhe ëndrra jonë duhet të bëhet realitet sepse Ferizaj e meriton, unë besoj se dëshmia më e mirë është loja që ju keni zhvilluar, që ju keni bërë diçka çfarë edhe e pamundur nëse është dukur është bërë e mundur, sepse një ekip që ka qenë e parafundit në tabelë, të shënoj 7 fitore radhazi që besoj se është rekord dhe shumë e vështirë të arrihet në këtë nivel” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.
Ndërkaq, Kryetari i Klubit të Futbollit “Ferizaj”, Mustafa Grainca, duke e falënderues të parin e Ferizajt, Agim Aliu për mbështetjen e vazhdueshme dhe diskutimin kaq të përzemërt kushtuar punës dhe mundit të lojtarëve dhe drejtuesve të klubit tha se tashmë KF Ferizaj nuk do të luftoj më për mbijetesë por se synon vetëm titullin e kampionit.
Me dhuratën e veçantë që kishin përgatitur për Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, lojtarët dhe drejtuesit e KF “Ferizaj”, fanellën me numrin e fitores, numrin 10 si dhe fotografinë e përbashkët kujtim nga ky takim përfundoi edhe ky aktivitet.