Mbështetja me bursa për nxënës dhe studentë ferizajas do të shtohet. Kjo u tha sot në takimin që pati Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu me drejtuesit e organizatës joqeveritare IPEDU dhe kryetarin e Fondacionit Zviceran “SOLON”, Douglas Funk.
Këta të fundit janë të gatshëm të mbështesin Komunën e Ferizajt, përkatësisht programin komunal të bursave dhe nxënësit e studentët ferizajas me fonde shtesë, ndonëse veprimtaria e tyre në Ferizaj daton që nga viti 2000. Aktualisht ky fondacion financon 65 nxënës të shkollave të mesme në Ferizaj dhe 10 studentë çdo vit. Numri i përfituesve të këtyre bursave pritet të rritet edhe në kuadër të ristrukturimit të programit komunal të bursave që ndahen nga Drejtoria e Arsimit. Kjo në funksion të përmbushjes së premtimit të të parit të Ferizajt, Agim Aliu që të dyfishoj numrin e përfituesve të bursave.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu falënderoi drejtuesit e Institutit për Promovimin e Edukimit dhe kryetarin e Fondacionit “SOLON” për vëmendjen e tyre që të ndihmojë pushtetin lokal dhe nxënësit e studentët ferizajas përmes programit të bursave, duke shprehur gatishmërinë që të bashkëpunoj në çdo hap në realizimin e këtij qëllimi.
Gjithashtu, edhe drejtuesit e këtyre organizatave falënderuan të parin e Ferizajt për pritjen, gatishmërinë për bashkëpunim dhe vendosmërinë që të rinjve ferizajas t’i ofroj mbështetje, veçanërisht strukturës me pritshmërinë më të madhe – studentëve dhe nxënësve në mënyrë që sadopak të lehtësohet pesha financiare e studimeve.
Qeverisja lokale është e vendosur në ristrukturimin e programit të bursave që përfundimisht të mundësoj numër më të madh të përfituesve të tyre si dhe financim të qëndrueshëm të këtij programi.