Aliu takon Drejtorin Rajonal të Policisë, Emin Beqirin, i uron detyrën dhe garanton bashkëpunimin

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili vizitoi sot Drejtorinë Regjionale të Policisë së Kosovës në Ferizaj, për të uruar drejtorin e ri të këtij institucioni, Emin Beqiri si dhe për të ofruar gatishmërinë e autoriteteve komunale në rritjen e sigurisë së përgjithshme në komunën tonë.

Kryetari Aliu njoftoi gjithashtu drejtorin Beqiri se Komuna e Ferizajt, qeverisja lokale ka konsoliduar një raport të frytshëm bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, Komandën Regjionale në Ferizaj edhe në të kaluarën duke pritur që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe në vitet në vijim. Ai tha se në fushën e sigurisë janë bërë një varg veprimesh nga ana e Komunës së Ferizajt, duke rritur kontrollin dhe mbikëqyrjen nga ana e Inspektoratit të Komunës në disa prej segmenteve të rëndësishme shoqërore, porse nevojitet edhe më shumë punë në këtë drejtim në mënyrë që ferizajasve t’i garantohet siguria dhe mbrojtja shtetërore në rast të cenimit të të drejtave dhe lirive. Politikat mjedisore janë njëra ndër fushat ku kryetari Aliu tha se do të ketë koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, në betejën e qeverisjes lokale për mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, fenomen shqetësues që u trajtua në këtë takim, ishte edhe fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike në disa zona të qytetit, ku i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se në koordinim me Policinë e Kosovës, në të ardhmen e afërt do të zhduket edhe ky fenomen mjaft prezent në mesin e të rinjve, shkollarë kryesisht.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës – Rajoni i Ferizajt, Emin Beqiri dhe bashkëpunëtorët e tij i paraqitën të parit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu një varg nismash që do të ndërmerren për rritjen e sigurisë së përgjithshme në qytetin tonë, me theks të veçantë në angazhimin e përbashkët kundër dukurive negative, specifikisht lëndëve narkotike tek të rinjtë. Ai falënderoi të parin e Ferizajt, Agim Aliu për rolin e tij konstruktiv dhe ofrimin e bashkëpunimit nga ana e institucionit të Komunës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme