Presidenti autoritar i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka fituar në zgjedhjet e parakohshme presidenciale, të cilat i bojkotuan partitë kryesore opozitare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se Aliyev ka fituar 86 për qind të votave, nga 94 për qind të votave të numëruara. Sipas këtij organi, dalja në zgjedhje ka qenë 74.5 për qind.
Kështu, Aliyev ka fituar mandatin e katërt radhazi. Organizata Human Rights Watch ka thënë se në votimet e 11 prillit nuk ka pasur “zgjedhje të qëndrueshme” për votuesit.
“U jam mirënjohës njerëzve që kanë votuar për arritjet dhe sukseset tona”, ka thënë Aliyev në një paraqitje televizive, menjëherë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet paraprake.
“Njerëzit kanë votuar për stabilitet, siguri dhe zhvillim”, ka thënë ai.
Partitë opozitare nuk morrën pjesë në këto zgjedhje dhe kanë bërë thirrje për bojkot, duke thënë se zgjedhjet do të manipuloheshin.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Natiq Mammadov, ka hedhur poshtë pretendimet se ka pasur mashtrime në zgjedhje, duke i thënë agjencisë së lajmeve Turan, se raportimet për shkelje zgjedhore “janë gënjeshtra”.
Por, në kamerat e vetë këtij organi, që transmetonin online, janë kapur pamje ku punëtorët zgjedhor në qytetin Kurdamir, kanë ndërruar kutitë e votimit, me kuti që dukeshin që kishin dyfishin e votave.
Opozita në Azerbajxhan, por edhe qeveritë Perëndimore dhe organizatatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kanë kritikuar qeverinë e Aliyevit për persektutim të mediave të pavarura, gazetarëve, politikanëve opozitarë dhe aktivistëve.
Aliyev, 56-vjeç, udhëheq me Azerbajxhanin që prej se babai i tij ka vdekur më 2003.