Katër sulme fizike kanë ndodhur gjatë festimit të Vitit të Ri në disa qytete të ndryshme të Kosovës.
Sipas policisë, shumica e rasteve janë pas orës 24:00, dhe shkaktar kryesor është alkooli.
Një grua e komunitetit rom nga Fushë Kosova, ka raportuar se i dashuri i saj, nën ndikim të alkoolit, e ka sulmuar fizikisht si dhe e ka demoluar shtëpinë.
I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Prishtinë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. I njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
E në Gjilan, është arrestuar i dyshuari mashkull, pasi që i njëjti në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij.
Viktima mashkull ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje .
Në Pejë, është arrestuar i dyshuari mashkull i cili nën ndikim të alkoolit, kishte sulmuar vëllain e tij.
Me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar në ndalim policor.