Pas kualifikimit për në finalen e Kupës së Italisë dhe hapave të sigurtë drejt titullit kampion, Juventusi do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen çerekfinale të UEfa Champions League, ndaj Barcelonës.
Një sfidë aspak e lehtë për bardhezinjtë, duke pasur parasysh se katalanasit po shfaqen dominues vitet e fundit në futbollin europian e botëror, por një pengesë që duhet kaluar pa tjetër në rrugën për t’u shpallur kampionë Europe.
Trajneri Allegri thotë se ndaj Barcelonës do të jetë një sfidë tejet e komplikuar, por ekipi i tij do të luajë të gjitha shanset për kualifikim. “Barcelona është një nga ekipet më të mira të futbollit dhe përballja me ta nuk do të jetë aspak e lehtë, ndaj duhet të luajmë të përqendruar dhe të japim maksimumin, nëse duam të kemi shpresa për kualifikim”, tha Allegri.
Trajneri juventin foli edhe për strategjinë, me të cilën do të përballet ndaj katalanasve, duke theksuar se ekipi i tij nuk do të mbyllet në mbrojtje. “Duke parë ndeshjen e fituar nga Barcelona, 7-1 ndaj Parisit, nuk mund ta çojmë nëpër mend që nuk do pësojmë gol, kështu që na mbetet vetëm t’i sulmojmë dhe të mundohemi të shënojmë më shumë se ata. Nuk do t’ju them formacionin, por po ju konfirmoj se 4 futbollistët e sulmit, Cuadrado, Dybala, Mandzukiç dhe Higuain, do të jenë në fushë nga fillimi”, tha trajneri italian.
Allegri thuri elozhe edhe për sulmuesin argjentinas të ekipit të tij, Paulo Dybala, por theksoi se ky i fundit është akoma shumë ndeshje e tituj larg Messit.
I pyetur nëse e ka studiuar finalen e 2015-ës në Berlin, humbur ndaj Barcelonës, Allegri u përgjigj: “është hera e dhjetë që do të përballem me Barcelonën. Çdo ndeshje ka pasur specifikat dhe veçoritë e veta. Finalet janë ndryshe, sepse gjithçka vendoset brenda një ndeshjeje, ndërsa tani do të duhet të luajmë 180 minuta perfekte ndaj tyre. Gjithsesi, duhet thënë se Barcelona ka ndryshuar shumë pak nga ndeshja e Berlinit. është një ekip që sulmon vazhdimisht dhe të le hapësira që t’i kundërsulmosh, por duhet të përballemi me mentalitetin e duhur, ndaj tyre”.
Ndeshja tjetër e mbrëmjes, është ajo mes Borusia Dortmund dhe Monako, dy ekipe simpatike dhe me lojtarë të rinj. Që të dy këto skuadra luajnë një futboll të hapur dhe sulmues, ndaj pritet që edhe mes tyre të zhvillohen 180 minuta spektakolare, ku vështirë të parashikosh ekipin që do të vazhdojë më tej.