Massimiliano Allegri do ta pushojë Cristiano Ronaldon gjatë këtij sezoni.
Massimiliano Allegri bën të qartë se nuk do të ketë asnjëherë ndeshje të lehta gjatë këtij sezoni. E pavarësisht përforcimit të skuadrës gjatë merkatos së verës, transferta në ndeshjen kundër Chievos i solli disi me këmbë në tokë bardhezinjtë, që sipas tranjerit nuk duhet të ndalojnë punën për të arritur sukseset gjatë këtij sezoni.
“Gati-gati do të isha dakord me barazimin, por gjithsesi jam i kënaqur që fitova në Veronë me gol në minutën e 93-të. Ajo ndeshje i ka bërë lojtarët të kuptojnë se nuk duhet të nënvlersojnë askënd. Tani kemi ndeshjen me Lazion dhe e dimë që do të jetë e vështirë. Do të doja të mos na shënonin gol, pasi në Bentegodi pësuam 2”.
Ish-tranjeri i Milanit vlerësoi ekipin e Lazios duke thënë se skuadra kryeqytetase ka lojtarë me shumë cilësi, por dhe të fuqishëm. Sa i përket formacionit, Allegri la shumë vend për dyshime, duke deklaruar se do ta mendojë deri në momentin e fundit se kush do të luajë kundër ekipit të Simone Inzaghit. Madje, ai pohoi se në të ardhmen edhe Cristiano Ronaldos mund t’i takojë të bëjë pushim, në mënyrë që të jetë i çlodhur për ndeshjet e rëndësishme.
“Mund të luajmë dhe me 3 mbrojtës. Bonucci më ka pëlqyer, ai punon fort dhe luan me shumë zemër, duhet të respektohet për atë që jep në fushë. Matuidi është në gjendje të mirë, Bernardeschi është lojtar mjaft cilësor, mund të luajë në çdo pozicion të sulmit. Edhe Ronaldo është në formë mjaft të mirë, por nuk i dihet, mbase dhe ai e nis nga pankina e luan 30 minuta gjatë ndeshjes.”
E nëse “Zonja e Vjetër” vjen pas një fitoreje, Lazio humbi kundër Napolit në “Olimpico” të Romës gjatë javës që kaloi e do të bëjë të pamundurën për të përsëritur suksesin e një viti më parë në “Juventus Stadium.