Dega e Alternativës në Gjakovë, sot zyrtarisht ka dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorin Themelore në Gjakovë, ndaj Kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Drejtoreshës së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Adelina Shehu Kola, Drejtorit të QKMF-së në Gjakovë, Kujtim Zarari dhe Udhëheqësit të departamentit të Administratës në QKMF, Musë Gjergjaj, për aplikimin e pagesave jo ligjore për shërbimet në Mjekësinë Familjare në Gjakovë, ndaj kategorive të liruara me ligj, siç janë pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, nxënësit dhe kategorit tjera të parapra me aktin nënligjor të Ministris së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Si arsyetim të këtij kallëximi, Alternativa konsideron se pagesa e participimit edhe nga pacientët të cilët në bazë të nenit 61 i Ligjit për Shëndetësi nr. 04/L-125 të cilët janë të liruar nga pagesa, është vepër e kundërligjshme që është praktikuar tash e dy muaj nga qeverisja lokale dhe menaxhmenti i QKMF-së në Gjakovë.
Meqë kemi informacione të vazhdueshme për veprime në kundërshtim me Ligjin dhe aktin nënligjor të nxjerrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenjes Sociale, konsiderojmë se një praktikë e tillë duhet të trajtohet nga Prokuroria Themelore në Gjakovë dhe të ndërmirren masa që ky akt i kundërligjshëm të ndërpritet menjëherë dhe keqpërdoruesit e detyrës zyrtare të nxirren para drejtësisë.