Superylli i boksit, meksikani Saul “Canelo” Alvarez ka mposhtur pa ndonjë telashe turkun Avni Yildirim, të shtunën mbrëma në Florida, në përballjen për titujt e botës në versionet WBC dhe WBA në kategorinë super të mesme.
Yildirim ka dorëzuar meçin para fillimit të raundit të katërt, pasi u rrëzua dy herë nga Alvarezi në raundin e tretë. Alvarezi pas meçit ka zyrtarizuar përballjen me yllin britanik Billy Joe Saunders për unifikim e titujve në peshën super të mesme.
Saunders ka në pronë titullin WBO, ndërsa përballja mes Alvarezit dhe tij do të zhvillohet më 8 maj.
Alvarez 30-vjeçar, që ka fituar tituj bote në katër kategori të ndryshme, ka bilanc prej 55 fitoreve, një humbje e dy barazime. 37 fitore i ka shënuar me nokaut.
“Kam dashur të bëjë një meç të madh. Më është dashur fitorja me nokaut dhe e kam arritur këtë. Nuk ka rëndësi nëse je më i gjatë. Unë erdha të kryejë punën time, erdha për të fituar”, ka thënë Alvarez.
Për Yildirimin është humbja e tretë në karrierë karshi 21 fitoreve.