Një grup i punëtorëve të kompanisë amerikane, Amazon ka thënë se kjo e fundit i ka kërcënuar me pushim nga puna disa punëtorë, për shkak të ngritjes së zërit për çështje të ambientit.
Grupi, Punëtorët e Amazonit për Drejtësi Klimatike ka thënë se punëtorëve u është thënë se po veprojnë në shkelje me politikat e kompanisë.
Ky lajm vjen pas thirrjeve të përbashkëta të punëtorëve që kjo kompani të bëjë më shumë në luftimin e ndryshimeve klimatike.
Amazon në anën tjetër ka thënë se politika e saj për komentet publike të punëtorëve nuk është e re dhe vlen për të gjithë.
Ky grup punëtorësh beson se është përgjegjësi e tyre për të siguruar se modelet e tilla të kompanive nuk i kontribuojnë krizës klimatike.
Këta punëtorë i kanë kërkuar kompanisë Amazon që të dërgojë në zero emetimet deri më 2030, përmes kufizimit të bashkëpunimit me kompanitë që përdorin thëngjill, si dhe të ndalë financimin e politikanëve dhe lobistëve që mohojnë ekzistencën e ndryshimeve klimatike.
Amazon, sikur edhe shumë kompani tjera të mëdha, janë përballur me presion në rritje nga publiku dhe punëtorët e saj për marrje të hapave drejt ruajtjes së ambientit.